Aktualitet Misteri i vdekjes së 4 rusëve në Shqipëri, familja ishte një nga...

Misteri i vdekjes së 4 rusëve në Shqipëri, familja ishte një nga më të pasurat në Rusi

Misteri i vdekjes së katër anëtarëve nuk është zgjidhur ende, por çdo ditë po dalin detaje të reja nga jeta e tyre. Kryefamiljari Sergey Burenkov, 60 vjeç ka qenë gjeneral i ushtrisë në Rusi dhe kjo mendohet që mund të jetë shkaku i vrasjes së familjes ruse. Gruaja Natalya Burenkova, 58 vjeç ishte mësuese.

Ekaterina Burenkov, 31 vjeç, vajza e familjes punonte si menaxhere pronash në një agjenci imobiliare, kurse i fejuari i saj Nikita Belousov punonte në administratën publike.

Mediat ruse shkruajnë se familja Burenkova ishte një nga familjet më të pasura ruse. Tashmë ka mbetur gjallë vetëm djali i familjes, Aleksandri, i cili është përfaqësues i një kompanie medicinale. Ai do të jetë personi që do të tërheqë edhe trupat e familjarëve të ndjerë.

Sot, katër ditë pas ngjarjes së rëndë ka thyer heshtjen një nga mikeshat e familjes. Anastasia tha se ende e pyet veten se si ka mundësi që ju shuan të gjithë miqtë në një dhomë.

Ajo tregon se punonte me 60-vjeçarin Burenkov. Sipas Anastasias, asnjë nga anëtarët e familjes Burenkov nuk konsumonte alkool apo lëndë narkotike.

“Sergei ishte një person shumë i mirë, ai nuk i ka bërë asgjë të keqe askujt. Ne kemi punuar së bashku me të. Ajo që ndodhi ishte një tronditje për ne! Ata vdiqën menjëherë, as nuk lëvizën.

Jam e sigurt se ata nuk mund të jenë mbytur papritmas të gjithë së bashku ose të helmojnë veten në një çast. Dikush do të lëvizte ose do të binte, por ata ishin ulur në vendet e tyre. Nuk ka gjurmë.

Ndoshta rezultatet e vërteta të autopsisë nuk do të dalin në media. Dhe ata që shkruajnë lloj-lloj marrëzish, i uroj që të mos e ndiejnë dhimbjen që na pushtoi ne për këtë humbje,”- tregon Anastasia.

Rusët po bashkëpunojnë me hetuesit shqiptarë për të zbardhur shkaqet e vdekjes së familjes, e cila dyshohet të jetë një vrasje në rrethana cilësuese, siç edhe është regjistruar zyrtarisht.

Katër rusët u gjetën të pajetë në ambientet e pishinës dimërore në resortin “Gloria Palace” në Qerret. Fillimisht u dyshua për helmim, asfiksi apo përdorim të lëndëve narkotike, por ekspertiza paraprake i hodhi poshtë këto pista. Kështu, ngjarja është regjistruar dhe po hetohet si vrasje.

Ka raportime se ata u helmuan me agjentë biologjikë dhe objektiv dyshohet se ka qenë pikërisht ish-gjenerali Burenkov.

Familja e tij ishte një ndër më të pasurat dhe ata bënin jetë luksi, duke shëtitur në shumë vende të botës.