Sport Mohamed Salah kërkon t’i jepet fund ‘masakrave’ në Gaza

Mohamed Salah kërkon t’i jepet fund ‘masakrave’ në Gaza

Futbollisti egjiptian i Liverpool-it, Mohamed Salah, ka bërë thirrje për t’i dhënë fund “masakrave” në Gaza, duke thënë se ndihma humanitare duhet të lejohet menjëherë në enklavën e rrethuar palestineze.

Sulmuesi 31-vjeçar bëri komentet e tij të para mbi thellimin e konfliktit Izrael-Hamas të mërkurën, mes zemërimit në rritje për vdekjen e gati 500 njerëzve në një shpërthim në Spitalin Arab al-Ahli në qytetin e Gazës.

Autoritetet palestineze thonë se shpërthimi është shkaktuar nga një sulm ajror izraelit. Izraeli pretendon nga ana tjetër se shpërthimi ishte rezultat i një rakete të lëshuar nga grupi i armatosur i Xhihadit Islamik Palestinez (PIJ) duke gjuajtur gabimisht. PIJ e ka hedhur poshtë akuzën.

“Nuk është gjithmonë e lehtë të flasësh në një kohë si kjo. Ka pasur shumë dhunë dhe shumë zemërthyerje dhe brutalitet”, tha Salah në një video të postuar për 62.7 milionë ndjekësit e tij në Instagram.

Futbollisti, i cili është kapiten i kombëtares së Egjiptit, ishte kritikuar se nuk kishte folur në mbrojtje të palestinezëve dhe disa kritikë kishin nisur një fushatë në internet për ta hequr atë në mediat sociale.

“Përshkallëzimi i javëve të fundit është i padurueshëm për t’u dëshmuar. Të gjitha jetët janë të shenjta dhe duhen mbrojtur. Masakrat duhet të ndalen, familjet po copëtohen”.

“Ajo që është e qartë tani është se ndihma humanitare për Gazën duhet të lejohet menjëherë. Njerëzit atje janë në kushte të tmerrshme”, shtoi futbollisti. “Skenat në spital mbrëmë ishin tmerruese. Banorët e Gazës kanë nevojë urgjente për ushqim, ujë dhe furnizime mjekësore”

“Unë po u bëj thirrje liderëve botërorë që të bashkohen për të parandaluar masakrën e mëtejshme të shpirtrave të pafajshëm – njerëzimi duhet të mbizotërojë”.

Fitues Ligës së Kampionëve dhe Premier League me Liverpool, Salah është një nga atletët më të njohur në botën arabe.