Sport Momentet pikante të 2018-ës

Momentet pikante të 2018-ës

Përjashtimi i Skënderbeut për 10 vite nga Europa, për trukim. Në pranverë erdhi lajmi “bombë” për opinionin sportiv: komisionet juridike në UEFA kishin vendosur përjashtimin e Skënderbeut për 10 vite nga kompeticionet europiane, pasi klubi korçar ishte gjetur fajtor për trukimin e ndeshjeve si në kampionatin shqiptar, ashtu edhe në përballjet europiane në Champions dhe Europa League. Edhe pse institucionet e UEFA-s nuk kishin gjetur prova të drejtpërdrejta, u vendos të dënohej rëndë Skënderbeu, duke u marrë shembull për klubet e tjera. Klubi korçar e ka ankimuar vendimin në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, që pritet të marrë vendim në mars të 2019-ës.

Titulli i 8-të kampion në histori. Pavarësisht pezullimit 10-vjeçar nga UEFA, Skënderbeu nuk u ndal drejt sukseseve të radhës në Kategorinë Superiore, këtë herë nën drejtimin e Ilir Dajës. Bardhekuqtë e mbyllën kampionatin në vendin e parë me 72 pikë, 9 më shumë se Kukësi ndjekës, madje patën luksin që t’i humbnin të tre takimet e fundit. Ky ishte trofeu i 7-të kampion në 8 vitet e fundit, dhe i 8-i në histori për korçarët, pas një sezoni të dominuar që në javët e para.

Drama shkodrane, Vllaznia për herë të parë bie nga kategoria. Në fund të sezonit sezonit 2017-2018, në futbollin shqiptar ra dhe miti e skuadrës që nuk kishte provuar kurrë më parë të luante në kategoritë e ulëta. Vllaznia e Shkodrës për herë të parë në histori e mbylli kampionatin e elitës në zonën e ftohtë, duke mos siguruar qëndrimin mes më të mirave. Në javën e fundit nuk vlejti fitorja e shëmtuar 1-5 në Korçë, pasi Kamza fitoi 0-1 me Partizanin në “Selman Stërmasi”. Një fund ky i paralajmëruar një vit më parë, kur vetëm pas barazimit në ndeshjen e fundit me Tiranën kuqeblutë qëndruan në Superiore. Një shembull tipik i keqmenaxhimit të financave të akorduara nga bashkia. Rënia e Vllaznisë u përjetua si dramë në Shkodër, qyteti që konsiderohet djepi i futbollit shqiptar.

Skënderbeu triumfon në Kupën dhe Superkupën e Shqipërisë, duke kompletuar tripletën. Skënderbeu i këtij viti shënoi një tjetër rezultat mbresëlënës: arriti të fitonte edhe Kupën e Shqipërisë për herë të parë në historinë e klubit. Korçarët, vetëm 5 ditë pasi kishin ngritur lart trofeun e kampionit, u përballën me Laçin në finale të kompeticionit të dytë më të rëndësishëm. U zhvillua një sfidë mjaft e kujdesshme dhe e luftuar nga të dyja skuadrat, por, falë përvojës dhe pjekurisë, Skënderbeu triumfoi 1-0 me gol të Sabien Lilajt me 11-metërsh në minutën e 68-të. Si fitues i të dy trofeve, Skënderbeu kishte përballë në ndeshjen e Superkupës së Shqipërisë, që hapte sezonin e ri, finalistin e Kupës (Laçin), kundërshtar që e kishte mundur në ndeshjen e fundit të sezonit 2017-2018. Me Orges Shehin në stol në vend të Ilir Dajës (portieri durrsak vendosi të varte dorezat në gozhdë) dhe me shumë ndryshime në organikë (u larguan disa titullarë), Skënderbeut nuk i mungoi dëshira për sukses, si për të treguar se pezullimi nga UEFA ishte i padrejtë dhe se KAS-i do të jepte pafajësinë. Korçarët fituan 3-2 në “Elbasan Arena” me kurbinasit, duke fituar trofeun e tretë brenda një viti, që shënon dhe suksesin më të madhe të klubit në futbollin shqiptar.

Kosova në play off-in e Nations League. 2018-ta ishte pa dyshim një vit për t’u mbajtur mend për përfaqësuesen e Kosovës në futboll. Pasi fituan përvojë në eliminatoret e Botërorit, “Dardanët”, me zviceranin Bernard Shalandes në stol, u shfaqën me ambicie maksimale në “Nations League”, ku ishin shortuar në Grupin 3 të Ligës D së bashku me Azerbajxhanin, Maltën dhe Ishujt Faroe. Kosova e nisi këtë fushatë me barazimin 0-0 në transfertë me rivalin kryesor, Azerbajxhanin, të cilin e mposhti thellë 4-0 në takimin e fundit, duke siguruar vendin e parë me 14 pikë, 5 më shumë se ndjekësi më i afërt. Në takimet e tjera “Dardanët” fituan 0-5 dhe 3-1 me Maltën, 2-0 me Ishujt Faroe, kundërshtar me të cilin barazuan 0-0 në transfertë.

Drita e Gjilani, kampione e Kosovës. Drita e Gjilanit u shpall për herë të dytë në histori kampione e Kosovës, pikërisht në edicionin e 19-të të elitës së futbollit kosovar. Skuadra, që drejtohej nga Bekim Isufi, e siguroi trofeun në javën e fundit të Vala Superligës së Kosovës, me 67 pikë, pasi barazoi 0-0 me Prishtinën, duke ruajtur avantazhin prej tri pikësh me kryeqytetasit. Në stadiumin “Shahin Haxhiislami” festa në fund ishte e gjitha për skuadrën gjilanase dhe për rreth 100 “ushtarakët intelektualë”, që kishim mundur të siguronin një biletë në sektorin e rezervuar për mbështetësit miq. Një ndeshje me emocione dhe me raste në të dyja portat, por që pa dyshim u kushtëzua nga ndëshkimi direkt me karton të kuq i Debatik Currit në minutën e 32-të për një ndërhyrje të ashpër ndaj Xhevdet Shabanit. Në fund të kampionatit, Besa e Pejës, Vllaznia Pozheran dhe Vëllaznimi ranë nga kategoria.

Ndahet nga jeta Fadil Vokrri. Futbolli i Kosovës, përtej arritjeve të mëdha si në rang kombëtaresh dhe me pjesëmarrjen e Dritës dhe Prishtinës në Kupat e Europës, u trondit më 9 qershor nga ndarja e parakohshme nga jeta e presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, në moshën 58-vjeçare. Legjenda e futbollit kosovar pësoi një sulm në zemër në ambientet e një fitnesi në Prishtinë, duke lënë të pikëlluar të afërmit dhe familjen e madhe të futbollit në shtetin më të ri europian. I lindur në Podujevë, më 23 qershor të 1960-ës, Vokrri pati një karrierë të shkëlqyer si futbollist, teksa mbrojti ngjyrat e Prishtinës, Partizanit të Beogradit, Fenerbahces, etj. Prej 10 vitesh, Fadil Vokrri drejtonte Federatën e Futbollit në Kosovë, ku ka lobuar jashtëzakonisht shumë, që kjo e fundit të njihej nga UEFA dhe FIFA. Vadil Vokrri u përcoll në banesën e fundit mes lotësh dhe me nderime të mëdha, për gjithçka bëri për njohjen ndërkombëtarisht të Kosovës.

Shkëndija fiton gjithçka në Maqedoni. Shkëndija e Tetovës e mbyll në mënyrën më të mirë të mundshme kampionatin në Ligën e Parë të Maqedonisë për edicionin 2017-2018, duke fituar matematikisht titullin kampion shumë javë para fundit. Kuqezinjtë tetovarë e përfunduan sezonin në kuotën e 91 pikëve, plot 35 pikë më shumë se Vardari i vendit të dytë. Skuadra e Qatip Osmanit i dominoi rivalët që nga starti i sezonit, duke mos e vënë në asnjë moment në diskutim suksesin përfundimtar. Trofeu i kampionit ishte i dyti në histori pas suksesit të arritur në vitit 2011. Dominimi i Shkëndijës në futbollin e Maqedonisë ishte i gjithanshëm. Kuqezinjtë triumfuan edhe në Kupë, ku mposhtën lehtësisht në finale me rezultatin e pastër 3-0 Pelisterin, duke i dhënë mundësinë një tjetër ekipi shqiptar, Shkupit, që të merrte pjesë në Europa League. Shkëndija për të dytin vit radhazi iu afrua shumë kualifikimit në fazën e grupeve të Europa League, teksa në play off u eliminua nga Rosenborgu me rezultat të përgjithshëm 5-1. 

“Rusi 2018” ishte eventi më i madh futbollistik i vitit. Në Kupën e Botës festoi Franca që mposhti në finalen e madhe të Moskës me rezultatin e thellë 4-1 Kroacinë, që ishte surpriza e vërtetë e këtij kompeticioni. Ky ishte titulli i dytë Botëror për gjelat ndërkohë që Deschamps pasi e kishte fituar si lojtar e fitoi edhe si trajner Kupën e Botës. Topi i Artë i Botërorit u shpall kapiteni i Kroacisë së vogël por që në këtë Kupë Bote shkroi historinë, Luka Modric. Golashënuesi më i mirë i eventit ishte anglezi Harry Kane me 6 gola ndërsa finalen e vogël për vendin e 3-të e fitoi Belgjika duke regjistruar arritjen më të madhe në këtë turne kaq të rëndësishëm.

Reali i Madridit, sërish në fronin e Europës. Për të 3-ën herë radhazi dhe të 13-ën në histori, në Champions League triumfoi sërish Reali i Madridit. Në finalen e zhvilluar në Kiev, Los Blancos mposhtën 3-1 Liverpoolin në një ndeshje që u kushtëzua nga dy gafat e portierit Loris Karius në dy nga 3 golat e Realit që mbanin firmat e Benzema dhe Bale. Ishte një sukses i merituar ky për skuadrën e Zidane që për të mbërritur te trofeu, eliminoi me radhë skuadrat më të mëdha të Europës duke filluar nga Paris Saint Germain, për të vazhduar me Juventusin, Bayern Munich dhe në fund anglezët e Liverpool. Golashënuesi më i mirë i Championsit u shpall Cristiano Ronaldo me 15 gola edhe pse çmimi i lojtarit më të mirë shkoi për Luka Modric. Zinedine Zidane ndërkohë u bë trajneri i parë që e fiton tre herë radhazi Champions Leaguen.

Në Europa League festa ishte e gjitha për Atleticon e Madridit. Edhe pse shkoi rastësisht në këtë kompeticion, pasi doli në vendin e 3-të në grupet e Champions League, skuadra e Simeonoes përmbushi të gjitha pritshmëritë në kompeticionin e dytë më të rëndësishëm për klube. Pasi eliminoi Arsenalin në gjysmëfinale, Atletico kaloi me shifrat 3-0 në finalen e madhe që u zhvillua në Lyon, francezët e Marseille, falë një dygolëshi të Antoine Griezmann. Los Colchoneros e fituan për herë të tretë këtë trofe prestigjoz në historinë e tyre, ndërsa lojtari më i mirë i finales u shpall Griezmann.

Finalet pa mbarim të Copa Libertadores. Vitit 2018 do të mbahet mend gjatë, kjo pasi finalja u diskutua mes dy rivalëve të përjetshëm të futbollit argjentinas Boca Juniors dhe River Plate. Edhe në këtë edicion finalja e madhe ishte me dy ndeshje. E para që u zhvillua në “Bombonera” vetëm me praninë e tifozëve vendas të Boca Juniors, përfundoi në barazim 2-2. Ndërkohë takimi i dytë që ishte në program në “El Monumental”, nuk u luajt në kryeqytetin e Argjentinës pasi pak orë para ndeshjes tifozët e River Plate sulmuan autobusin e Bocas me sende të forta. Finalja e kthimit u zhvendos në “Santiago Bernabeu” të Madridit, aty ku River Plate fitoi me rezultatin 3-1 pas kohës shtesë, duke fituar për herë të 4-t në histori dhe duke ngushtuar diferencën me rivalët e Bocës që numërojnë 6 trofe.

Barcelona triumfon në La Liga. Në Ligën e Kampionëve pësoi një eliminim të turpshëm përballë Romës në çerekfinale, por në kampionat Barcelona nuk mund të gabonte, duke arritur të ngrejë titullin kampion. Katalanët e Valverdes dominuan kampionatin spanjoll që prej fillimit të sezonit dhe nuk vunë për asnjë moment në dyshim triumfin. Ky ishte titulli i 25-të kampion për skuadrën e Barcelonës, ndërsa Andres Iniesta ngriti kupën e fundit me fanellën e katalanëve.

Guardiola fiton titullin e parë në Premier League. Një titull rekordesh ai i Citiziens, me Manchester City-n që grumbulloi 100 pikë ndërsa realizoi plot 106 gola në një kampionat të dominuar nga ekipi i Guardiolës, që la pas në rresht me një diferencë shumë të madhe Manchester United, Tottenham Hotspur e Liverpoolin. Në FA Cup festa ishte e gjitha për Chelsea-in që shpëtoi sezonin falë suksesit 1-0 ndaj Manchester United, duke e fituar për herë të 8-të në histori këtë trofe.

Në Itali, Juventusi triumfoi sërish. Bardhezinjtë vendosën një rekord absolut në Serinë A duke fituar për herë të 7-të radhazi titullin kampion. Napoli e mbylli kampionatin në vendin e dytë, ndërsa pas tij u renditën Roma dhe Interi. Zikaltrit siguruan vendin në Champions vetëm pas fitores në javën e fundit përballë Lazios në “Olimpico”, duke parakaluar pikërisht bardhekaltrit. Edhe Kupa e Italisë shkoi pikërisht për Juventusin, që fitoi gjithçka në shkallë vendi këtë sezon.

Bayerni i Mynihut vendosi një rekord absolut në Gjermani. Bavarezët fituan për herë të 6-të rresht titullin në Bundesliga. Ky ishte titulli i 28-të në histori për Bayernin, që e dominoi kampionatin nga fillimi në fund dhe nuk e vuri asnjëherë në diskutim triumfin. Bayerni la pas Schalke 04-ën me një distancë prej plot 21 pikësh më tepër, ndërsa vendi i 3-të i takoi Borussias së Dortmundit, e ndjekur nga Hoffenheim. Kupa e Gjermanisë u fitua nga Eintrachti i Frankfurtit, që mposhti në finale Bayernin, ndërsa këta të fundit u hakmorën në Superkupë.

PSG pa kundërshtarë në Francë. Paris Saint Germain nuk njohu rivalë në futbollin francez gjatë sezonit 2017-2018. Parizienët fituan çdo trofe të mundshëm në vend, ndërsa peng u mbetu sërish eliminimi në Champions. Triumfuan për të 7-ën herë në histori titullun e Ligue 1, mundën 2-0 në finalen e Kupën e Francës modestët e Les Herbiers dhe 3-0 në finalen e Kupës së Ligës Monacon. Parisi e nisi sezonin 2018-2019 me trofeu pasi mposhti sërish Monacon 4-0 në Superkupën e Francës.

Shorti i Euro 2020 premton spektakël. U hodh këtë vit edhe shorti i eliminatoreve të Euro 2020-ës, ku të gjithë përfaqësueset europiane njohën kundërshtarët me të cilët do të garojnë për një vend në fazën finale të kompeticionit. Rivalitet i fortë në thuajse të gjitha grupet, teksa spikat Grupi C me Gjermaninë dhe Holandën, dy skuadra që ishin bashkë edhe në Ligën e Kombeve. Shqipëria u pozicionua në Grupin H, së bashku me Francën kampione bote, Islandën, Turqinë, Moldavinë dhe Andorrën. Grup interesant dhe ai i Kosovës, që do të përballet me Anglinë, Republikën Çeke dhe ballkanasit e Malit të Zi e Bullgarisë.

Thyhet hegjemonia Messi-Ronaldo. Pas një dekade ku Topi i Artë u nda nga 5 herë mes Messit dhe Ronaldos, në 2018-ën përfundoi hegjemonia e vendosur nga argjentinasi dhe portugezi, pasi në shkallën më të lartë të podiumit në eventin e organizuar nga “France Football”, u ngjit Luka Modric. Kroati finalist me kombëtaren e tij në Botëror dhe fitues i Championsit me Realin e Madridit, la pas në këtë garë Cristiano Ronaldon dhe Antoine Griezmann. Edhe çmimi tjetër prestigjoz FIFA Best Player u fitua nga Modric.

“Këpuca e Artë” shkon për Lionel Messin. Ylli argjentinas u shpall golashënuesi më i mirë për sezonin 2016-2017 në kampionatet europiane, duke fituar çmimin e “Këpucës së Artë” për të 5-tën herë në karrierë. Me 34 finalizimet e tij, argjentinasi kaloi Cristiano Ronaldon, që e ka fituar 4 herë këtë trofe individual. Pas dy futbollistëve më të mirë të kampionatit spanjoll, nga dy herë e kanë fituar “Këpucën e Artë” emra të tillë si Muller, Eusebio, Georgescu, Fernando Gomes, McCoist, Jardel, Henry, Forlán dhe Luis Suárez.

Cristiano Ronaldo largohet nga Reali i Madridit. Pas 9 sezonesh me fanellën e Realit të Madridit, Cristiano Ronaldo vendosi të ndërrojë ambient, duke u transferuar  te italianët e Juventusit. Në moshën 34-vjeçare, portugezi nënshkroi një kontratë 4-vjeçare me torinezët, ndërsa në arkat e klubit madrilen shkuan rreth 110 milionë euro për kartonin e futbollistit. Ky ishte edhe transferimi më i bujshëm jo vetëm për këtë sezon të merkatos, por edhe për vitet e fundit të historisë së futbollit.