“Policia kriminale duhet të japë së shpejti të gjitha konkluzionet e saj për të gjitha godinat që në Durrës janë dëmtuar rëndë dhe janë bërë të pabanueshme dhe të pariparueshme, si ato të dëmtuara, por që riparohen”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në mbledhjen e Jashtëzakonshme të Këshillit të Ministrave.
“Paralelisht sikur e kemi diskutuar dje në Këshillin e Sigurisë të thirrur nga Presidenti, urojmë që prokuroria e Përgjithshme dhe prokuroria në tërësi të bëjë të gjithë punën e nevojshme në këtë moment kaq kritik për të identifikuar përgjegjësitë përkatëse”, – tha Rama.
Kreu i qeverisë i bëri thirrje të gjithë ndërtuesve publikisht që të mos i shmangen përgjegjësisë.
“Mos të gënjejnë veten se me shpresën se kjo gjë mund të kalojë pa u lagur. Disa prej tyre më kanë çuar mesazh pas takimit që bëra në Durrës duke nxjerrë lloj-lloj bishtash, por më ka bërë përshtypje arsyetimi se ne jemi të falimentuar. Të shesin shtëpitë e tyre, të marrin kredi, të bëjnë çfarë të duan, të vënë kolateral çfarë kanë sepse besoj se në fund të ditës liria është më e shtrenjtë se pasuria dhe nëse nuk reagojnë me humanizëm dhe me përgjegjshmëri mund ti humbin të dyja”, theksoi Rama.