Kryesore Ndryshimet në qeveri, Rama i ngrin buzëqeshjen Metës

Ndryshimet në qeveri, Rama i ngrin buzëqeshjen Metës

Largimi i Saimir Tahirit nga ministria e Brendshme u prit me entuziazëm në kampin e LSI-së, pasi janë të njohura përplasjet e Ilir Metës me ish-ministrin më të fuqishëm socialist.

Mediat pranë kësaj partie e komentuan këtë largim si një fitore të Ilir Metës ndaj Edi Ramës.

Kreu i LSI-së e pati kërkuar kokën e Tahirit mëse njëherë, por Rama pati refuzuar.

Në këtë mënyrë largimi i beftë i Tahirit u lexua si një nënshtrim i Ramës ndaj Metës.

Por me emërimet e reja, Edi Rama i ka ngrirë Metës buzëqeshjen në fytyrë.

Në krye të uniformave blu, Rama ka vendosur Fatmir Xhafajn, një emër që nuk është aspak në një raport të mirë me LSI-në, por dhe me Ilir Metën.

Fatmir Xhafaj është një kundërshtar i dorës së parë  i LSI-së në PS.

Ai ka dalë më shumë se një herë kundër manovrave të Metës për reformën në drejtësi.

Madje ai shikohet edhe më i ashpër se Tahiri në raport me Ilir Metën.

Se si do të pritet kjo lëvizje nga Meta askush nuk mund ta parashikojë, por e sigurt është që ai nuk del tashmë i fituar nga largimi i Saimir Tahirit.

Madje nga beteja me Ramën, ai del edhe më i humbur./American Eye