Bota Në Korenë e Veriut nuk ka më ushqim, regjimi komunist reklamon mishin...

Në Korenë e Veriut nuk ka më ushqim, regjimi komunist reklamon mishin e mjellmave

Koreja e Veriut po përjeton një nga krizat ushqimore më të rënda të historisë së saj, por propaganda e partisë komuniste dhe liderit të saj Kim Jong Un nuk lejon  që “dobësi”  të tilla të sistemit të dalin në pah.

Situata po bëhet gjithmonë e më e vështirë dhe tashmë edhe popullsia ka filluar të kuptojë që për disa vjet ata duhet të kalojnë momente tejet të vështira. Lideri komunist ka paralajmëruar pak ditë më parë që populli duhet të parashikojë një periudhë ku duhet të hanë më pak, të paktën deri në hapjen e kufijve me Kinën.

Por diçka e tillë, për arsye të mistershme dhe që nuk mund të lidhen vetëm me situatën pandemike, sipas autoriteteve nuk parashikohet para vitit 2025.

Atëherë, liderët e Penian po mendojnë për zgjidhe të brendshme dhe po e shikojnë tek një shpend që deri më tani njihet më shumë për hijeshinë e tij në parqet e kryeqytetit aziatik.

Bëhet fjalë për mjellmën, madje variantin e zi të mjellmës. Rritja masive e këtij shpendi është studiuar në mënyrë sekrete nga viti 2019, dhe tashmë është ndërtuar të paktën një strukturë gjigante që do të sigurojë rritjen e tyre.

Prej ditësh në mediat shtetërore, të vetmet të lejuara, po lavdërojnë cilësitë e këtij mishi, që sipas autoriteteve koreanoveriore është i jashtëzakonshëm.

“Është ushqimi i shekullit 21, ka një shije të përkryer, tretet më mirë se mishrat e tjerë dhe ka më shumë proteina, madje ka edhe veti anti kancerogjene”, thuhet në lajmet që përsëriten tashmë pothuajse çdo ditë, duke nënvizuar se mjellmat do të rrisnin dukshëm kaloritë në dietën e varfër të popullit.

Sipas disa studimeve, 2/5 e popullsisë të Koresë së Veriut vuajnë nga kequshqyerja, si pasojë e izolimit të vendit, por edhe të një seri përmbytjesh të pasuara nga thatësira të gjata, që kanë shkatërruar prodhimin e brendshëm bujqësor.