Histori Në nderim të veteranit të Luftës Nacional-Çlirimtare, Sadik Shehu

Në nderim të veteranit të Luftës Nacional-Çlirimtare, Sadik Shehu

Veterani i luftës dhe i punës, Sadik Shehu

Memaliaj, një qytet i vogël që është banuar me veteranë lufte, njerëz guximtarë, të cilët kanë punuar dhe janë përleshur edhe me pabesitë e nëntokës; ka nxjerr njerëz të famshëm në fusha të ndryshme, por edhe burra të rrallë, si veterani Sadik Shehu, i cili nuk hezitoi t’i bënte Fletë-Rrufe as diktatorit në mes të Tiranës!

Sadik Shehu u lind më 26 Gusht të vitit 1925 me prindër, Hajreko dhe Estref Shehu nga Arrëza e Tepelenës. Familja Shehu, kishte gjashtë fëmijë; tre vajza dhe tre djem, ku i pari i fëmjëve është Sadiku. Estrefi, ka marr pjesë në luftën e Vlorës, të vitit 1920-të dhe ishte luftëtar i çetës së Tepelenës me komandat, Zenel Gjonçën nga Damsi. Estrefi, ka punuar si murator, duke ndërtuar shtëpi në zonën e Tepelenës, Përmetit, Ballshit dhe nëpër fshatra të ndryshe. Kudo që shkonte, ai e merrte gjithmon me vete familjen e tij.

Sadik Shehu, i rritur në një familje me ndjenja të larta atdhetare, u frymëzua që të dilte partizan që në moshën 17-vjeçare. Kjo ngjarje në jetën e tij, mban vitin 1942 dhe luftoi derisa u çlirua Shqipëria. Ai ishte luftëtar i radhëve të formacionit të Batalionit “Baba Abaz”, të Brigadës së VI-të Sulmuese dhe kanë luftuar në zonën e parë opreative, në rrethet; Tepelenë, Përmet dhe Vlorë. Gjithashtu kanë luftuar edhe jashtë kufijve tanë, në Jugosllavi, në Vishegrad. Po në Brigadën e VI-të Sulmuese, merrte pjesë edhe xhaxhai i Sadikut, Tefik Shehu.

Mbas lufte ka shërbyer si oficer në repartet e ndjekjes, në luftë me diversantët, që nga Shkodra, Puka, Mati dhe Korça, ku mori pjesë edhe në luftën me shovinistët grekë. Ai është dekoruar gjashtë herë për merita lufte dhe kontribut gjatë shërbimit ushtarak si oficer i ndjekjes. Dy nga këto i ka për trimëri; një në LANÇ-re dhe tjerën në provokimet e gushtit 1949-të, nga grekët.

Para luftës, veterani i luftës Sadik Shehu, kishte mbaruar vetëm 5-klasë dhe pas luftës, kreu 7-vjeçaren në Memaliaj. Për këtë arsye, si një kuadro me shkollë jo të plotë, u lirua nga ushtria, ku shërbeu si oficer deri më 1954-ën.

Nga viti 1954 e në vazhdim, punoi në minierën e Memaliajt. Në fillim punoi si llogaritar, në repartin e jashtëm dhe më vonë në mirëmbajtje, derisa ndërroi jetë më 25.1.1978, në moshën 49-vjeçare. Prindërit e tij jetuan në Memaliaj, derisa ndërruan jetë. Babai i tij, Estrefi, ndërroi jetë në vitin 1963 dhe nëna e tij, Hajreko, ndërroi jetë në vitin 1992.

Sadik Shehu krijon familje në vitin 1953, me Merushen, e bija Hateme dhe Hysni Muçit nga fshati Lab Martalloz, krahina e Lopsit. Babai i saj, Hysniu, ishte një tregtar i vogël në fshat, në qafë Mehmete. Në familjen e xha Hysniut, ishin dhjetë fëmijë, por pas vdekjes së tij të hershme, rrojtën vetëm dy, Merushja dhe i vëllai i saj, Zia Muçi. Vdekja e tetë fëmijëve, erdhi si shkak i fukarallëkut që pllakosi gjatë periudhës së luftës.

Në familjen e Merushe dhe Sadik Shehut, erdhën në jetë dhjetë fëmijë dhe emrat e tyre janë: Vladimir, Maksim, Diana, Ali, Namik, Florika, Adriatik, Flamur, Roza dhe Armando. Nënë Merushja, ka punuar si ndihmës kuzhuniere, vetëm në restorantin e Memaliajt. Në vitin 1980-të, në moshën 45-vjeçare, del në pension si nënë me shumë fëmijë. Asnjë nga fëmijët e saj nuk kanë punuar në nëntokën e minierës, përveç Vladimirit, në kohën kur kryente stazhin pas mbarimit të maturës, për të shkuar në universitet. Vladimiri, stazhin e ka bërë në tranverbankun e Sektorit të IV, në 250 në Luftinjë. Të gjithë fëmijët kanë punuar dhe dhënë kontributin e tyre, në fusha të ndryshme të jetës, përfshi këtu, atë të artit, kulturës dhe të sportit, ku tek kjo e fundit janë dalluar më shumë dhe kanë një kontribut të madh, jo vetëm në jetën sportive të qytetit Memaliaj, atë të Tepelenës dhe mbarë rrethit, por edhe në rrethe të tjera të jugut të Shqipërisë.

Veterani i luftës dhe i minierës, Sadiku Shehu, edhe pse ka patur dëshirë të këndonte, nuk ka marrë pjesë në grupin polifonik të qytetit, pasi ishte i sëmurë nga astma. Ai ishte një njohës dhe këngëtar shumë i mirë i këngëve popullore, si ato përmetare, skrapaliote dhe korçare, pasi shërbeu si ushtarak në Korçë.

Ndjeshmëria e tij ndaj padrejtësive, ka qenë shumë e lartë, jo vetëm ndaj atyre që kanë luftuar dhe më vonë abuzonin në saj të këtij kontributi, që për secilin shqiptarë, është një detyrim pakusht ndaj atdheut, por edhe ndaj atyre që nuk kishin luftuar dhe i binin gjoksit me forcë dhe po me këtë eufori abuzonin deri në imoralitet! Këto padrejtësi që bëheshin ndaj tij, bashkëqytetarëve dhe më gjerë, e shqetësonin aq shumë veteranin Sadik Shehu, sa që ua përplaste në fytyrë të vërtetën.

Veterani Sadik Shehu me djalin e tij, Vladimirin. Kujtim i vitit 1977, një vit para se të ndahej nga jeta

Ai ka pasur disa përplasje me drejtorin e minierës së qymyrgurit të Memaliajt dhe me kryetarin e Këshillit të qytetit të Memaliajt të asaj koha, S. Pazën. Të gjitha këto përplasje ishin për gjëra që i takonin veteranit Sadik Shehu dhe gjithashtu edhe për të drejtat si individ dhe ato të përgjithshme, për të cilat ai luftoi me idealizëm deri në fund të jetës së tij. Duke parë që ndaj tij vazhdonin padrejtësitë, dhe ankesat e tij nuk merreshin qëllimisht parasysh për të gjetur të drejtën, e rënduan shumë shpirtërisht. Drejtuesit e asaj kohe, me këto veprime, tregonin qartë se ishin jo të denjt për të drejtuar dhe jo më të zgjidhnin hallet e popullit, aq më shumë të një veterani lufte që nuk kërkonte privilegje, por vetëm të drejtë që i takonte!

Për këto arsye, ai i bëri Fletë-Rrufe edhe Enver Hoxhës, si e para dhe vetmja që iu shkruajt atij në mes të Tiranës, ku me anë të saj i sugjeronte atij për situatën që ndodhej në Memaliaj; ku njerëzit që hipnin në detyra, përdornin shtetin për pushtetin personal, dhe duke cënuar shumë familje në moralin e tyre. Duke i thënë gjithashtu, se ky ishte shteti për të cilën kishte luftuar dhe ëndërruar për t’i shërbyer popullit, dhe jo të shpërfillet qëllimisht e drejta nga njerëz të verbuar nga pushteti që u është besuar!

Pas shpalljes së saj në mes të Tiranës, e cila e bë e njohur shumë shpejt në popull dhe çdo nivel drejtues, disa bashkëqytetarë e shikonin me kërshëri xha Sadikun, për guximin që mori, por të tjerët, e shikonin me mllef dhe prisnin nga çasti në çast të hakmerreshin. Prej asaj që ndodhi, atë vet, së bashku me familjen e tij, filluan t’a shihnin me një sy jo miqësor.

Veterani Sadik Shehu, për kontributin e tij në luftë, atë të ndërtimit të vendit dhe virtytet e tij të larta si një atdhetar i denjë, e bënte atë të gëzonte respektin e të gjithë atyre njerëzve të ndershëm në qytet dhe në zonën përreth, të cilët e njihnin shumë mirë situatën dhe njerëzit që abuzonin me pushtetin, por nuk flisnin, pasi nën rregjimin e një diktature, ndiheshin të pambrojtur ngaqë shumë të paaftë drejtonin dhe kjo i çonte edhe këta të fundit drejt një hakmarrje të qëllimshme dhe ekstreme.

Me familjen e Shehu, kemi qenë në një lagje, me banim në pallatet shumë afër me njëra-tjetrën. Kam qenë 10-11 vjeç, kur ai është ndar nga jeta. E shikoja të dilte vetëm në ballkonin e tij, ku pinte shpesh kafen dhe kalonte atë kohë të lirë, kur koha ishte e mirë. Të jemë i sinqertë, e kam parë shumë pak herë që të dilte nga shtëpia e tij dhe në ato raste që dilte, bënte shëtitje në natyrën e qetë buzë Vjosës, me pjesëtarë të familjes së tij. Nga çfarë përmenda përgjatë shkrimit, lë të kuptohet shumë qartë arsyeja që ai nuk dilte shpesh në qytet, pasi më mirë vetëm dhe me familjen, sesa jashtë duke u takuar me njerëz si ata që prisnin, të hakmerreshin duke ngritur kurthe, që me rastin e parë!

Do të ishte mirë të takonim edhe bashkëqytetarë të tjerë dhe t’i pyesnim për ndonjë kujtim me xha Sadikun, edhe pse brezi i tij sot nuk jeton, por fal faqes tonë në Facebook, mundëm të lexonim disa komente që e vlerësojnë atë. Disa prej tyre janë:

Ahmet Deshiku: “Xha Sadiku, mbahet mend si një burrë që gezoi respektin e të gjithë atyre memaliotëve të ndershëm që deshën drejtësinë! Kështu e mbaj mend, siç është në këtë fotografi që ju e keni bërë publike. Një burrë i vërtetë, shumë i thjeshtë, fisnik dhe i dashur, i cili nuk u mburë asnjëherë me të familjes dhe pjesmarëjen e tij në LANÇ-re dhe të kërkonte privilegje, siç bënin disa! Për mua dhe shumë të tjerë, e kemi quajtur një hero që deri në fund të jetës së tij, qëndroi i ndershëm. I nderuar ndër breza qoftë kontributi dhe emri i tij!”

Thanas Hoda: “Bashkëqytetar si veterani Sadik Shehu, nuk i harrojmë, pasi këta njerëz të nderuar e të respektuar, kujtohen dhe nderohen gjithmon! Me familjen Shehu, për shumë vjet, kemi qenë miq të mirë dhe kemi banuar në një shkallë. Sadiku kishte një familje të madhe me shumë fëmijë, të urtë e të zgjuar, ku ekonomikisht i përballonte me punën e tij dhe të bashkëshortes së tij të nderuar, Merushe. Këtë burrë, gjithmon e mbaj mend të qeshur e zemërgjerë, i cili kishte marrëdhënie të shkëlqyera me të gjithë. Shpesh e pinim kafen së bashku, por edhe Merushja me bashkëshorten time, Leten, shkonin si motra. Ata që punonin në minierë, ishin heronj të vërtetë, të palodhur, të urtë, të dashur, të guximshëm dhe me zemër të madhe! Është nder e detyrë të shkruash për këta njerëz që mbeten të thjeshtë dhe të paharruar në zemrat tona, ku një prej këtyre është edhe veterani Sadik Shehu.”

Perlat Arapi: “Xha Sadikun, e mbaj mend fjalë pak e gojëmbël, i thjeshtë në komunikim me këdo që takonte në rrugë, i cili i rriti fëmijët me sakrificat e kohës dhe të gjithë iu bënë të mbarë dhe të respektuar. Për më shumë dhe partizan i orëve të para në një njësi luftarake të krahinës.”

Fotini Mala: “Veteranin Sadik Shehu, e mbajë mend zotëri burrë, fisnik, punëtor, gojëmbël dhe i respektueshëm nga gjithë qyteti Memaliaj! Krijoi një familje të mrekullusheme së bashku me bashkëshorten e tij dhe rritën fëmijë të edukuar e të sjellshëm, të cilët edhe ata gëzonin respektë tek bashkëmoshatarët dhe bashkëqytetarët e tyre!”

Liljana Jonuzi (Sala): “Mbahet mend nga ata burra që radhitej në plejadën e burrave të mençur të qytetit tonë. Ne që e kemi njohur xha Sadikun, themi se duhet të krenohen, jo vetëm të familjes dhe të afërmit e tij, por edhe ne si bashkëqytetar të tij!”

Ilirjan Veizi: “Burrë i mençur dhe shumë trim! Këto janë fjalët e babai tim, për veteranin Sadik Shehu.”

Në çdo diktaturë, ka patur njerëz të guximshëm që e kanë kundërshtuar regjimin në forma të ndryshme, siç ishin ambientet e mbyllura, zyra apo salla mbledhjesh, por t’i bëje Fletë-Rrufe, një diktatori, vetëm në Shqipëri kam dëgjuar. Kjo mund t’i merrte edhe jetën veteranit Sadik Shehu, por ai ishte me të drejtën kundra padrejtësive që i bëheshin atij dhe shumë banorëve, të cilët luftuan me besimin se në Shqipëri do të sundonte shteti i së drejtës, dhe jo t’u besohej atyre që njihnin vetëm padrejtësinë!

Ashtu si shumë bashkëqytetar, edhe unë jam krenar për veteranin Sadik Shehu, pasi burra të tillë janë të rallë dhe ai e meriton me të drejtë, të vlerësohet nga Këshilli i Bashkisë Memaliaj, me titullin “Qytetar Nderi”, në të kundërt do të duket qartë se burra të tillë, ndëshkohen në çdo kohë nga të pandershmit që dinë të ushtrojnë vetëm padrejtësi!

Mirënjohje dhe nderime pakufi për bashkëqytetarë dhe bashkatdhetarë të tillë!

Edmond Ismailati

Nju Jork, 27 Maj 2020.