Aktualitet Nën hetim për një gjel, historia e një kallëzimi të pazakontë në...

Nën hetim për një gjel, historia e një kallëzimi të pazakontë në Tiranë

Çdo ditë në komisariatet e Policisë së Tiranës dorëzohen kallëzime për ngjarje nga më të parëndësishmet. Të tilla që nga zhurma e komshiut ngjitur, se përse ai lëviz “pa delikatesë” karriget, deri tek aroma e gjellës, që siç pretendon denoncuesi është ndotje.

Por, në vend të parë për sezonin e verës kanë qenë referimet e vetë policëve për ndërtime pa leje, që nga ndërrimi i pllakave e deri tek instalimi i tendave. Më tej vijohet me vjedhjet që nga aparate celularë e biçikletat, për të cilat qytetarët shënjestrohen nga hajdutët. Normalisht sipas ligjit edhe kur nuk ka vepër penale, ato duhet të referohen për hetime të mëtejshme. Sapo topi i kalohet Prokurorisë, mali i dosjeve vetëm sa rritet, pasi për secilën prej tyre prokurorët duhet të kryejnë veprime shtesë që nga këqyrjet deri te marrja e dëshmive. Më poshtë, Gazeta Si po sjell një nga historitë hetimore që ka zgjatur disa muaj, derisa është sqaruar përmes hetimeve. Por, ndërsa i dyshuari si hajdut është pyetur e ripyetur, në përfundim ai së paku mund të ketë marrë një mësim: “Kujdes çfarë gjen në rrugë, sepse të hap telashe”.

Historia e gjelit që u kthye në provë materiale

Një 22-vjeçar nga kryeqyteti ka shpëtuar për një fije nga akuza e vjedhjes e për rrjedhim edhe nga burgu. Shpëtimtar i Elvis Fejzullahut u bë shoku i tij, me të cilin ai kishte dalë xhiro ditën kur në rrugë i doli një gjel dhe i dyshuari e mori pa një pa dy. Por, i zoti i gjelit, i cili jeton në rrugën “Gramoz Pashko”, fare pranë shtëpisë së ish-prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla kallëzoi pranë komisariatit nr.1 “zhdukjen” e gjelit që ia kishin bërë dhuratë.

“Humbja” pa nishan e gjelit ndodhi siç ndodh zakonisht, në prag të ndërrimit të viteve. Gjatë tetë muajve prokurorët e hetuan aq seriozisht çështjen e gjelit, sa kanë pritur derisa kanë realizuar marrjen e të gjithë dëshmitarëve, për t’u bindur se në fakt i riu i dyshuar si hajdut ishte thjesht një person që e kishte hasur gjelin në rrugë dhe pa një pa dy, pasi ka pritur disa minuta e ka hipur në makinën në të cilën gjendeshin edhe dy persona të tjerë. Por si dëshmitare është marrë edhe nëna e djalit të dyshuar si hajdut, e cila tregoi se si e theri gjelin dhe se si befas në shtëpi ia kishte behur policia për ta sekuestruar shpendin e therur për të cilin, pasi u sekuestrua si provë materiale, nuk përmendet në asnjë rresht të dosjes nëse gjeli ju kthye apo jo të zotit.

Kallëzimi që solli veprime hetimore

“Quhem Lirim Tahira. Ditën që gjeli u zhduk, unë po merresha me punë shtëpie, dhe gjelin e kisha lënë në oborr. Në orën 8:30 gjeli doli nga banesa dhe i iku nënës e gruas, të cilat më njoftuan mua. Dola, por nuk e gjeta, pyeta një djalë që më tha se një makinë me targa AA 700 FJ kishte ndaluar dhe e kishte marrë”.

Prokuroria e pyet kallëzuesin se si e vërteton që gjeli ishte i tij dhe ai përgjigjet:

Kallëzuesi: Ma solli dhuratë nga Vlora një mikeshë e motrës.

Prokurori: A ju tha dëshmitari sa persona dolën nga makina?

Kallëzuesi: Ai më tha doli një djalë i ri, kur e ka kapur, gjeli ishte në rrugë.

Por, lista e dëshmitarëve për këtë ngjarje është e gjatë për shkak të veprimeve që konsiderohen të domosdoshme për të kuptuar nëse bëhej fjalë për vjedhje.

Dëshmitari që gjendej me të dyshuarin është njëri nga shpëtimtarët. Ai thotë se ishin duke bërë xhiro kur Elvisi, befas i kishte kërkuar ta ndalte makinën.

Bekim Kaboci: Zbriti dhe pasi qëndroi pak mori diçka në rrugë. Më tregoi kur u kthye se e mori gjelin pasi ishte në rrugë dhe se e kishte parë mos ishte e ndokujt. Ai e gjeti gjelin, nuk e vodhi.

Interesante është edhe deklarata e 22-vjeçarit që jo vetëm kundërshtoi hetimet disamujore ndaj tij për vjedhje, por u tregua i gatshëm t’u sugjeronte hetuesve të këqyrnin kamerat e sigurisë në zonë.

Elvis Fejzullahu: Sa kalon banesën e ish-prokurorit të Përgjithshëm në rrugë, pashë një gjel deti në rrugë. I kërkova Bekimit të ndalonte, ju afrova gjelit, i hodha diçka për të ngrënë dhe e kapa. Para se ta kapja aty afër ishte pronari i një lokali qoftesh, e pyeta i joti është, ai tregoi “jo”. Madje shtoi që nuk e dinte fare nga kishte dalë. Qëndrova dhe kur pashë se askush nuk po i dilte zot e mora për vete dhe e çova menjëherë në shtëpi. I thashë nënë Meremes se ku e kisha gjetur dhe siç e konstatuat më pas, gjeli ishte bërë gati për t’u gatuar.

Pas këtij kallëzimi, policia fillimisht ka shpallur në kërkim targat dhe mjetin dhe pasi ka kryer verifikimet ka zbuluar emrin e pronarit, të cilit i kanë shkuar në shtëpi dhe i kanë gjetur gjelin e sapotherur./Gazeta Si