Opinione Nga Dritan Hila /Opozita si dhelpra pas koqeve të dashit

Nga Dritan Hila /Opozita si dhelpra pas koqeve të dashit

Nëse pyet njerëz që e çuan opozitën në hapin ekstrem të lënies së mandateve se cila është lëvizja që do ndërruarin në këtë impas politik ku kanë futur veten, të thonë se nuk kanë çfarë i bëjnë më shumë Ramës por as Rama nuk qeveris dot pa ata.

Goxha vlerësim për veten dhe goxha strategji kanë gjetur think-tankët e Bregut të Lanës!

Të heqësh dorë nga parlamenti, është hap që nuk e bën asnjë opozitë as në kushte ekstreme autoritarizmi, madje as ajo e Venezuelës e cila pavarësisht se ka shpallur president alternativ, nuk e le parlamentin. Të shpresosh se njerëzit do kenë respekt për këtë gjest, është një lloj kuti që nuk dihet ku e kanë gjetur.

Një Ben Blushi ishte në parlament dhe e bënte Ramën të fliste me vete. Kurse këta meqënëse kanë futur 57 vuvër të cilët dinin vetëm të gjuanin me bojë e me vezë por jo të artikuloheshin; meqënëse për shkak të autoritarizmit të tyre gjetën 57 njerëz pa ngjyrë dhe mendim politik të vlefshëm; dhe meqenëse nuk po gjejnë rrugë të valencojnë vetveten, presin që Rama ti fusë në tepsi.

Në fakt dalja nga parlamenti nuk ishte shenjë force por dobësie; nuk ishte shenjë inteligjence por profanizmi politik; nuk ishte etje për betejë por frikë të përballesh me kundërshtarët. Sepse kundërshtarë nuk janë policët e Sandër Lleshit por homologët e në parlament, dhe fushëbeteja është ajo elektorale dhe jo sheshi i parlamentit me kapsolla.

Rasti Turqisë së fundmi tregoi se opozita është krijuar që të ndeshet politikisht me kundërshtarin dhe jo ti shmanget betejës me të, cilatdo të jenë kushtet. Ndërsa e gjitha kjo hallakatje rrugëve e opozitës shqiptare, për njëmijë e një arsye nuk ka hall betejën me Ramën, me oligarkët dhe krijimin e një sistem të ri politik por ti fusë Rama edhe ata në tepsi. Dhe shpresojnë se veprimi i tyre duke ndejtur jashtë parlamentit, një ditë do trembi Ramën dhe ky do ju japë një thelë. E kanë gabim. Votuesve as ju bën përshtypje se Lul Basha kërkon të bëhet kryeministër dhe Flamur Noka apo Fatmir Mehdiu duan të kthehen ministra se sharruan për të ngrënë. Njerëzit presin të dinë se çfarë do ofrojë opozita, për ta.

Ndërsa Ramës nuk i mungojnë në parlament. Ai këtë ëndërronte. Duket qartë që strategjia e tij është ti lerë rrugëve derisa mos ti llogarisë askush. Dhe problemi nuk është se kush mbeti rrugëve por kush do ti dalë përballë një pushteti që po bëhet përditë dhe më shumë i pa kontrolluar, ndërkohë që opozita po pret që Rama ti fusë në tepsi ose ashtu si dhelpra në fabulën e famshme, pret që Ramës ti bien koqet. Goxha strategji.