Kulturë Nga rikthimi i Ardit Gjebreas te drejtimi artistik: Detaje për Festivalin e...

Nga rikthimi i Ardit Gjebreas te drejtimi artistik: Detaje për Festivalin e Këngës në RTSH

60-vjetori i “Festivalit të Këngës” në Radio Televizionin Shqiptar (RTSH) do të bëjë bashkë disa nga emrat më të mirënjohur të muzikës dhe ekranit.

RTSH njoftoi se Ardit Gjebrea do të rikthehet në festival, pas shumë vitesh.

“Ky është viti i 60-të për Festivalin e Këngës në RTSH. Unë do të jem prezantues i ftuar në natën e dytë”, shkroi producenti në Instagram. “Më shumë se prezantues, do të jem dëshmitar i një historie të cilën do ta përshkojmë me disa nga emrat më të spikatur, gdhendur në kujtesën dhe dashurinë e publikut.”

“Rikthehem me shumë dëshirë për të përcjellë dashuri, nostalgji dhe muzikën që na ka shoqëruar gjithë jetën”, përfundoi Gjebrea, i cili e ka prekur skenën e festivalit jo vetëm si kantautor me “Jon”, “I thuaj jo” dhe “Eja, por edhe si kompozitor këngësh dhe prezantues.

Të tre netët e festivalit do të prezantohen nga Isli Islami, Jonida Maliqi, Xhemi Shehu dhe Kelvi Kadilli.

Nata e parë do t’i dedikohet konkurrimit të 20-të këngëtarëve, nata e dytë nostalgjisë, duke qenë të pranishëm emra që kanë lënë gjurmë në 60 vjet histori dhe nata e tretë do t’i dedikohet formatit të Eurovision.

RTSH njoftoi se drejtimi artistik i festivalit i është besuar kantautorit Elton Deda. Në regji do të jetë Redi Treni. Kozeta Kurti dhe Zefina Hasani do të jenë bashkë-skenariste.

“Festivali i Këngës” do të mbahet më 27, 28 dhe 29 dhjetor në Pallatin e Kongreseve.

Këngëtarët pjesëmarrës janë:

Alban Ramosaj

Denis Skura

Evi Reçi

Gjergj Kaçinari

Janex (Xhejn Kumrija)

Kastro Zizo

Kelly

Mirud

Rezarta Smaja

Ronela Hajati

Saimir Çili

Stefi dhe Endri Prifti

Shega

Urban Band

Eldis Arrnejti

Ester Zahiri

Kejsi Rrustja

Olimpia Smajlaj

Viola Xhemali

Xhuljana Pjetra