Ekonomi Nga shtatori Euro do rritet, por nuk do arrijë vlerën e këmbimit...

Nga shtatori Euro do rritet, por nuk do arrijë vlerën e këmbimit 140 lek

Monedha europiane nuk do të prekë më nivelin e 140 lekëve. Eksperti, Ardian Civici, shprehet se sasia e shumtë e kësaj monedhe në qarkullim nuk do të lejojë që të kalojë nivelin 134-135 lekë. Aktualisht një euro shkëmbehet me 132 lekë çka vlerësohet si më e ulta ndër 10 vitet e fundit dhe ata që përfitojnë nga kjo situatë janë qytetarët që kanë marrë kredi në euro.

Euro nuk do të rikthehet më në kuotat e mëparshme të shkëmbimit me mbi 140 lekë.

Eksperti, Ardian Civici, shpjegon se në fund të muajit shtator pritet një forcim i euros por që nuk do të kalojë nivelin e shkëmbimit prej 135 lekësh.

Civici: Për sa i përket të ardhmes mendoj që ndoshta disa elementë të ciklit, të sjelljes së euros dhe lekut sipas viteve të kaluara do të shfaqen por jo në ato përmasa që janë shfaqur vitet e kaluara.

E thënë më thjesht mendoj se duke filluar nga fundi i shtatorit dhe në vazhdim mund të ketë një forcim të lehtë të euros në raport me lekun në përpjekje për tu kthyer në ato ekuilibrat më normal por gjithësesi nuk duken faktorë strukturorë që mund ta prishin këtë lloj status-quoje ose këtë normë këmbimi midis euros në tregun shqiptar.

Sipas Civicit ata që përfitojnë nga dobësimi i euros ndaj lekut janë kredimarrësit në euro.

Civici: Efekte pozitive do të përmendja faktin e importuesve meqenëse ne vazhdojmë ti kemi të larta nivelet e importit, sidomos me zonën euro ku zhvillojmë rreth 70% të aktivitetit tonë tregtar.

Natyrisht një forcim i lekut dhe një dobësim i euros i bën importet më të lira por nga ana tjetër ato që vuajnë janë eksportet sepse duke eksportuar me një euro më të dobët dhe me një lek më të fortë të ardhurat janë më të ulëta. Brenda vendit besoj që përfitojnë sidomos ajo pjesë e kredimarrësve që i kanë marrë kreditë në euro.

Ndryshimi i menjëhershëm i vlerës së euros ndaj lekut në Shqipëri ka ndodhur në 2011 kur euro arrit në 140 lekë nga 123 që ishte në 2009.

Aktualisht prej disa muajve një euro është shkëmbyer me rreth 132 lekë.