Aktualitet Nis puna për rehabilitimin e rrjetit hidrik të Tiranës, Balluku: Do të...

Nis puna për rehabilitimin e rrjetit hidrik të Tiranës, Balluku: Do të ndërtojmë linjë transmetimi ujor me standarde europiane

Qytetarët e Bashkisë së Tiranës do të kenë një furnizim më të mirë me ujë të pijshëm në saj të punës, që ka nisur tashmë, për rehabilitimin e rrjetit hidrik të kryeqytetit. Ndërtimi i linjës së transmetimit, me të njëjtin standard të vendeve të Bashkimit Europian, do të përmirësojë kapacitetin e furnizimit me ujë për qytetin e Tiranës dhe zonave përreth, njëkohësisht do të shmang abuzimet nga ndërhyrjet si dhe do të eliminojë humbjet e volumit të ujit në linjën e transmetimit.

Realizmi i këtij investimi, me vlerë 10.5 milionë euro, bëhet me financimin e Qeverisë Italiane përmes Kooperacionit Italian në Tiranë dhe pritet të jetë gati në gusht të vitit të ardhshëm.

Në ceremoninë e inaugurimit të nisjes së punimeve për rehabilitimin e rrjetit hidrik të Tiranës, ishte e pranishme ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ambasadori i Italisë në Shqipëri, Alberto Cutillo si dhe kreu i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve, Alqi Bllako.

Në fjalën e saj, ministrja Balluku tha se përtej punës shumë të mirë të bërë nga bashkia e Tiranës në katër vitet e fundit për menaxhimin sa më mirë të sistemit hidrik të qytetit, kjo sfidë nuk mund të përballohet vetëm nga pushteti vendor.

“Furnizimi me ujë të pijshëm i kryeqytetit është një nga ato sfida, ku rritja dhe zhvillimi i shpejtë i gërshetuar me një trashëgimi shumë të keqe të situatës së investimeve në këtë sektor në të shkuarën, e bëjnë nevojën për ndërhyrje edhe më emergjente. Ndaj dhe sot jemi këtu bashkë me drejtuesit e bashkisë së Tiranës dhe me partnerët e miqtë tanë italianë, për t’i dhënë udhë një projekti shumë të rëndësishëm, që synon të përmirësojë ndjeshëm furnizimin me ujë të pijshëm për qytetarët e Tiranës”, u shpreh Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, shprehu falënderimet e saj për mbështetjen e Qeverisë Italiane për këtë projekt të rëndësishëm teksa garantoi se “ nga ana teknike ky investim do të mundësojë ndërtimin e një linje transmetimi me standardet që operojnë vendet anëtare të BE. Do të përmirësojë kapacitetin e furnizimit me ujë për qytetin e Tiranës dhe zonave përreth tij. Shmang abuzimet nga ndërhyrjet në rrjet dhe kalon në nivelin ZERO humbjet e volumit të ujit në linjën e transmetimit”.

Nga ana e tij, ambasadori italian në vendin tonë, Alberto Cutillo e cilësoi investimit në fjalë si një vepër me impakt dhe rëndësi të madhe teksa solli në vëmendje se investimi i nisur sot është pjesë një programi të gjerë të qeverisë italiane për rehabilitimin e sektorit hidrik të Tiranës, një program i cili ka pasur një financim të përgjithshëm prej 27 milionë eurosh.

Rehabilitimi i rrjetit hidrik të Tiranës do bëjë të mundur dyfishimin e kapacitetit të impiantit të trajtimit të ujit të pijshëm në Bovillë. Në gjendjen aktuale sasia e përpunimit në këtë impiant është 1800 litra/sek ndërsa investimi i ri jep mundësinë dhe garancinë në terma afatgjatë 3600 litër / sek. Gjithashtu do të bëhet e mundur realizimi i dy linjave paralele, që shmang në këtë mënyrë probabilitetin e ndërprerjes së furnizimit me ujë të Qytetit në rast shërbimesh të detyrueshme mirëmbajtje të linjës aktuale. Rritjen e sigurisë për garantimin e furnizimit me ujë për periudhën e thatë kur burimet e Selitës dhe Shën- Mërisë janë në kuota minimale.