Kulturë Një durrsake, mjeshtre financash në St. Louis

Një durrsake, mjeshtre financash në St. Louis

Nga Entela Resuli

Lela Prodani është rritur në një familje durrsake në qytetin bregdetar. Është larguar nga vendlindja në vitin 2003 për të vazhduar studimet e larta në Saint Louis të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. E përgjegjshme për rrugën që kishte marrë dhe me përkushtim ndaj shkollës, arriti që të përfundoi universitetin me rezultate të shkëlqyera. Ajo ka ndjekur studimet për Biznes Ndërkombëtar dhe në vitin 2016 “Trusted Insight”, rrjeti më i madh në botë i investitorëve institucionalë, e ka renditur durrsaken Prodani, në top 30-shen e grave në ngritjen e shkallëve të karrierës në industrinë gjigante të financave.

Emrat shqiptarë që janë të suksesshëm jashtë nuk janë të paktë, por përgjithësisht njihen dhe trumbeton vetëm ata që bëjnë rrugë në fushën e artit. OK, financat nuk janë aq të thjeshta e nuk se i japin kënaqësi masës, por raste si i Lela Prodanit ka pak dhe vështirësia, nga pikëpamja e kapacitetit profesional, është e madhe dhe e rëndësishme.

Ne e kërkuam Prodanin për të realizuar me të një bisedë, për të mësuar më shumë për të, por edhe për të na treguar rrugën e saj drejt suksesit, jo vetëm në karrierë por edhe në familje.

Në këtë intervistë për Dita-n, Lela Prodani na rrëfen jetën e saj…

-Lela, ku jeto këto kohë?

Unë jetoj në Saint Louis, Missouri, SHBA. Saint Louis njihet si “Gateway e Perëndimit” dhe “Shtëpia e Blues”. Tani punoj në një zyrë investimesh për organizatën shëndetësore “Mercy”– bashkë me një grup prej 5 vetash ne menaxhojmë fondet e spitalit, pensionit, dhe fondacioneve të “Mercy”.

-Kur jeni larguar nga Shqipëria dhe çfarë mbani mend nga ajo ditë?

Erdha në SHBA, mbasi mbarova shkollën e mesme me rezultate të larta në vitin 2003, me dëshirën për të vazhduar studimet në nivele akoma më të larta dhe për formimin tim profesional. Isha e emocionuar që po filloja një aventurë të re, e gëzuar që do merrja eksperiencën e një kulturë tjetër, dhe e etur për të mësuar dhe avancuar karrierën time. Në të njëjtën kohë isha e mërzitur që po lija mbrapa familjen dhe miqtë e mi të dashur. Nuk e dija se ç’më priste në anën tjetër, por isha e sigurt që isha gati të nisja këtë udhëtim dhe të filloja një kapitull të ri në jetën time.

-Si ka qenë përballja e parë me një vend të huaj. Nga Durrësi në Saint Louis, është diferencë e madhe?

Nga një anë, mbërritja në St. Louis u shoqërua me shumë eksperienca të reja: eksplorimin e qytetit dhe pikave kryesore turistike, shijimin e ushqimeve tipike amerikane, fillimin e studimeve të larta, dhe krijimin e shoqërive të reja. Nga ana tjetër, u shoqërua me një mënyrë tjetër jetese. Në Durrës mund të ecësh pothuajse kudo, ndërsa në Saint Louis gati të gjitha lëvizjet bëhen me makinë. Çdo bisedë pas një farë kohe vërtitet rreth sporteve, sidomos basketbollit dhe skuadrës së qytetit “Cardinals”. Pothuajse, shumica e familjeve në Saint Louis, i kanë fëmijët në dy ose tre sporte. Shumë shpejt mësova se për amerikanët është tipike ta pinë kafen e tyre në lëvizje (sidomos gjatë rrugës për në punë) për të marrë pak kafeinë për t’i ndihmuar me ditën e tyre të zënë. Gjithashtu, vura re praninë e shumë restoranteve “drive-through” dhe “drive-in”, meqenëse njerëzit në Saint Louis janë gjithmonë në lëvizje me makinë. Nga të gjithë këto, gjëja që më ka bërë më shumë përshtypje kur erdha në Saint Louis, ishte afrimiteti dhe ngrohtësia e njerëzve të kësaj zone të SHBA-së. Javën e parë që erdha në Saint Louis, shkova për një shëtitje me motrën në një park afër shtëpisë së saj (motra jeton në Saint Louis) dhe çdo njeri që na kalonte pranë qeshte dhe na përshëndeste. Jo, motra ime nuk i njihte të gjithë këta njerëz, thjesht është një sjellje normale në Saint Louis.

-Po vështirësitë, cilat ishin?

Studimi dhe komunikimi në një gjuhë tjetër vjen me vështirësi. Unë, si dhe shumë studente të tjerë ndërkombëtarë, u ndeshëm jo vetëm me ngarkesën e studimeve të vitit të parë të universitetit, por dhe me atë të gjuhës. Pjesa më e vështirë në këtë drejtim ishte përshtatja me kërkesat e shkrimit akademik. Kjo vështirësi ishte e përkohshme dhe shumë shpejt isha në nivelin e duhur. Gjithashtu, kjo ishte hera e parë që isha larguar për kaq kohë të gjatë nga familja. Megjithëse, isha e entuziazmuar për studimet e larta, kisha shumë mall për familjen. Fakti që motra dhe tezja me familjet e tyre jetonin në Saint Louis, e bëri këtë tranzicion më të lehtë për mua.

-Sa i rëndësishëm ishte për ty edukimi dhe për çfarë vendose t’i vazhdosh studimet e larta?

Shumë i rëndësishëm! Vendosa të studioja në SHBA, një vend që dallohet për nivelit të lartë të edukimit me disa nga universitetet më të mira në botë, për t’u zhvilluar si nga mënyrë personale dhe profesionale akoma dhe më shumë. Unë vendosa të studioja Biznes Ndërkombëtar sepse gjithmonë kam qenë e interesuar të mësoj se si organizatat e biznesit veprojnë në një mjedis ndërkombëtar. Gjatë studimeve në Webster, unë pata mundësinë të studioja dhe në Vienë dhe u lidha me shumë shokë e shoqe nga vende të ndryshme të botës.

-Cila ka qenë puna e parë që ke bërë?

Gjatë studimeve të Masterit, bëra një internship në një zyrë tregtare e një brokeri investimesh në Saint Louis. Unë mendoj se kjo ishte mënyra perfekte për të marrë eksperiencë pune dhe për të vendosur nëse ky ishte drejtimi i duhur për karrierën time. Puna e investimeve më pëlqeu shumë, sidomos tregtimi i aksioneve të klientëve. Mbasi mbarova shkollën, Smith, Moore & Co. më ofroi një punë të plotë si asistente broker. Në këtë pune unë punova shumë afër me këshilluesit financiare të firmës për ekzekutimin e blerjes dhe shitjes së aksioneve për klientët tanë.

Financa është një industri që në mënyrë tradicionale është zotëruar nga meshkujt. Sa vazhdon të jetë i vërtetë ky mendimin në vendin ku ti jeton?

Financa është akoma një industri e zotëruar nga meshkujt. Megjithatë kam parë shumë ndryshime pozitive gjatë këtyre viteve që kam qenë në industri, me shumë femra që po hyjnë në këtë fushë. Saint Louis ka disa shoqata që janë shumë aktive në angazhimin e femrave në financë. Para një jave shkova në një seminar të organizuar nga shoqata lokale CFA rreth aftësive negociuese midis meshkujve dhe femrave dhe se si këto aftësi aplikohen në karrierë dhe në situata të përditshme. Shumë e lumtur të raportoj se salla ishe e mbushur me femra që ishin të angazhuar në fushën e investimit ose kishin dëshirë të merren me diçka të tillë.

Tashmë ti je analiste investimesh, mund ta shpjegosh për ata që nuk e dinë se ku konsiston puna jote? Na trego pak për kompaninë ku punoni dhe punën…?

Siç e përmenda më parë, unë jam pjesëtare e një grupi investimi prej pesë vetash që merremi me menaxhimin e fondeve të spitalit (endowment), pensionit (plan i mbyllur), dhe disa fondacioneve të Mercy. Mercy është sistemi i pestë më i madh katolik shëndetësor në Amerikë që shërben miliona paciente nëpërmjet 43 qendrave akute kujdesi dhe spitale, dhe nëpërmjet më shumë se 700 praktikave mjekësore në qytet Arkansas, Kansas, Missouri and Oklahoma. Unë në përgjithësi merrem me kryerjen e analizave dhe përgatitjen e raporteve të investimeve që janë të nevojshme për të zhvilluar dhe zbatuar strategjinë e investimeve, ndërtimin e portofolit, dhe përzgjedhjen e produkteve të investimit.

A ja vlen të investosh sot në botë dhe ku, cilat janë fushat ku ju sugjeroni më shumë?

Është një periudhë e vështirë për të investuar, ku ngjarjet politike dhe faktorët makro po kushtojnë me shumë vëmendje se sa vlerësimet themelore the kompanive. Në Amerikë, Trump dhe policitë e tij për të ulur taksat, për të investuar ne infrastrukture, dhe për të liberalizuar rregullat financiare, mendohet të jenë pozitive për ekonominë dhe bizneset me të ardhura lokale. Për një horizont të shkurtër, besoj se kompanitë publike në SHBA (sidomos bizneset e vogla) dhe bankat e mëdha mund të përfitojnë nga kjo situatë. Nëse këto reforma nuk shkojnë si duhen (akoma nuk kemi plane konkrete rreth reformave) dhe ka shumë pasiguri në burse, pozicionet në flori mund të përfitojnë. Por po të marrësh një këndvështrim më të gjatë, dhe të krahasosh kompanitë amerikane me ndërkombëtare (sidomos në vendet në zhvillim), besoj se ka më shumë mundësi për përfitime jashtë SHBA-s.

Lela, ti ke lindur në Durrës, ndërsa tani jeton në SHBA, e kujton fëmijërinë tende?

Unë u rrita në Durrës nga dy prindër të mrekullueshëm (Shpëtim dhe Shpresa Prodani) që më krijuan një ambient të mbushur me dashuri dhe suport. Mbaj mend që mami më merrte herë pas here në punën e saj ku jepte mësim në një shkollë gjimnazi. Dedikimi i saj për këtë profesion dhe për studentet ishte me të vërtet i admirueshëm. Mami ishte ajo që më theksoi rëndësinë e edukimit! Edhe babi më merrte herë pas here te zyra e tij dhe më tregonte punën e tij. Ai më jepte disa gjëra të vogla për të bërë / për “ta ndihmuar” gjatë ditës. Që të dy prindërit më mësuan se sa e rëndësishme është të ndjekësh një karrierë për të cilën ke pasion dhe sa e rëndësishme është të punosh fort për të arritur atë që do. Prindërit patën një influencë të madhe, por dhe motra (Evisi), vëllai (Nardi), gjyshet, gjyshërit, miqtë dhe shoqëria me afrimitetin dhe dashurinë e tyre, ndikuan të jem ky person që jam sot.

 

-Ktheheni shpesh në Shqipëri?

Zakonisht, mundohem të vi një herë në vit. Bashkëshorti e ka familjen në Vienë, ndërsa unë në Shqipëri. Kështu që kur vijmë në Europë, zakonisht ndalojmë në të dy destinacionet.

-Ju keni krijuar familjen tuaj, bashkëshorti juaj është i huaj, na trego pak për këtë kombinim kulturash, ndjenjash…?

Po, bashkëshorti (Thorsten) është i huaj, megjithëse po ta dëgjoni duke folur shqip do mendoni se është shqiptar! Ne u takuam në Universitet nëpërmjet disa klasave të përbashkëta, por ky takim nuk ndodhi deri në vitin e fundit të studimeve. Histori interesante: Thorsten po studionte në Vienë dhe vendosi që të transferohej në Saint Louis për studime; në të njëjtën kohë kur unë vendosa te transferohem për të studiuar në Vienë. Por fati deshi që ne të takoheshim në semestrin e fundit në Saint Louis, dhe kemi qenë bashkë që atëherë. Unë mendoj se kombinimi i kulturave e bën jetën më interesante. Ne shijojmë ushqimet nga kulturat e njëri-tjetrit, mësojmë nga traditat dhe zakonet e njëri-tjetrit, dhe flasim për udhëtime dhe eksperienca nga vende të ndryshme të botës.

-Betë dasmë? Tradicionale shqiptare apo?

Po, ne bëmë dasmë tradicionale shqiptare në Durrës para 4 vjetësh. Çdo gjë kaloi në mënyrë fantastike! Kur u kthyem në Saint Louis, bëmë një koktej të vogël me shoqërinë dhe të afërmit që nuk patën mundësinë të vinin në Shqipëri. Por ato që erdhën për dasmë, akoma flasin për dasmën shqiptare që zgjat gjatë gjithë natës, për ushqimet tona të mrekullueshme, vallet tona, muzikën, dhe rakinë.

-Prindërit e tu çfarë profesioni kanë patur?

Babi mbaroi inxhinierinë mekanike, punoi në portin e Durrësit për një kohë të gjatë dhe më pas hapi firmën e tij të transportit me disa shokë. Mami mbaroi inxhinierin elektronike, punoi në arsim në shkolla profesionale dhe më vonë u mor me biznesin familjar. Nuk do isha në SHBA sot pa sakrificën dhe mbështetjen e tyre.

-I ke treguar ti bashkëshortit për Shqipërinë, çfarë mendoni ai?

Patjetër! Ne kemi ardhur në Shqipëri disa herë. Thorstenit i pëlqen shumë Shqipëria me bukuritë e saj natyrore dhe pamjet mahnitëse, me qendrat e shumta historike dhe arkeologjike, traditat dhe zakonet interesante, me njerëzit mikpritës, dhe kuzhinën e shijshme tradicionale. Me sa ka pasur mundësi për të parë, ai është mahnitur nga bregdeti shqiptar dhe nga pikat e ndryshme turistike si Amfiteatri i Durrësit, Kalaja e Krujës, Kalaja e Berati, dhe Apolonia. Vitin tjetër kemi dëshirë të shikojmë akoma më shumë nga bukuritë shqiptare, mendoj Butrintin dhe Syrin e Kaltër kësaj radhe.

-E ndjek aktualitetin në Shqipëri, çfarë mendon?

E ndjek deri diku, nëpërmjet internetit. Mendoj se do ishte mirë të bëhen reforma në Arsimin e Lartë si diçka që sjell ecuri në ekonomi dhe zhvillimin e një vendi. Është e rëndësishme të ketë standarde për të garantuar cilësinë e diplomës.

Në të njëjtën kohe, meqenëse jam në fushën e shëndetësisë, dua të përmend rëndësinë e aksesit të shërbimeve shëndetësore nga popullata shqiptare. Njerëzit që kanë të ardhura mund të shkojnë në spitale ose klinika private; por për pjesën tjetër të popullsisë është e nevojshme të ketë kushte të përshtatshme që lejon pacientet të marrin kujdesin e duhur në mënyrë sa më të shpejtë dhe me kosto të përballueshme.

-Çfarë mund të ndryshoi konkretisht në fushën e shëndetësisë, çfarë sugjerimi mund të jepni ju?

Sigurimet shëndetësore, zgjerimi imbulues nga sigurimet shëndetësore përsa i përket procedurave mjekësore ose i ilaçeve që rimbursohen nga sigurimet; zgjerimi i mundësisë së sigurimeve shëndetësore për të varfërit ose për ata që nuk kane mundësi të përballojnë koston e sigurimeve, nëpërmjet ndihmës së shtetit. Cilësia e kujdesit shëndetësor – trajnimi i personelit mjekësor; furnizim i qendrave mjekësore përsa i përket furnizimit me pajisjet dhe barnat e nevojshme; vendosja e standardeve të cilësisë për spitalet dhe kontrollimi / monitorimi i këtyre standardeve; pagesë e personelit që lidhet me cilësinë e shërbimeve to pacienteve

Do ktheheshe të punoje këtu?

A keni folur me mamanë time?! Ajo gjithmonë më bën pyetje të tilla. Nuk kam plane për t’u kthyer në Shqipëri për momentit, por gjithmonë i mbaj opsionet e hapura si për të punuar në Shqipëri ose për të lëvizur në ndonjë vend tjetër.

-Lela, çfarë të bënë të lumtur?

Të kaloj kohë me familjen time. Kam një djalë 14 muajsh dhe s’ka lumturi më të madhe se sa të shikosh djalin duke u rritur çdo ditë! Avancimi ne fushën profesionale është diçka tjetër që më bën të lumtur.

-Si i kalon momentet e vështira, të mërzitshme?

Varet nga situata, por në përgjithësi kura më e mirë për mua është një kafe, një ëmbëlsirë, dhe një bisedë me njerëzit e mi të dashur! Sado e vështirë dhe e mërzitshme të jetë situata, fakti që ti e shikon se je e rrethuar nga njerëz që të duan, të heq mendjen nga negativiteti i situatës dhe të çon të mendosh në mënyrë pozitive. P.sh një nga momentet më të vështira të jetës time, ishte humbja e babit nga atak kardiak. Unë isha në vitin e parë të studimeve në SHBA kur mora vesh lajmin shokues. Ishte me të vërtetë diçka e papritur dhe diçka që nuk dija se si ta përballoja. Por me mbështetjen e familjes dhe të miqve të dashur, arrita t’i jepja forcë vetes dhe në një farë mënyre të vendosja të vija përsëri në SHBA dhe të vazhdoja drejtimin e studimeve që kisha nisur. Gjithashtu një ecje në natyrë, një klasë në palestër, apo dhe një pushim i shkurtër më ndihmon që të pastroj mendjen dhe ta shikoj situatën me një këndvështrim tjetër. Është më se normale që të gjithë do kemi probleme dhe momente të vështira në jetë, por mënyra se si reagojmë dhe përgjigjemi në situata bën një ndryshim të madh.