Bota Një javë e vështirë për kryeministren finlandeze, Sanna Marin

Një javë e vështirë për kryeministren finlandeze, Sanna Marin

Janë ditë shqetësuese dhe me polemika për kryeministren finlandeze Sanna Marin. Dje u detyrua të linte menjëherë samitin e Këshillit të Europës në Bruksel pasi një deputet finlandez me të cilin ajo ishte në kontakt rezultoi pozitiv me koronavirus. Pasi u largua nga samiti, Sanna Marin, doli negative për koronavirusin. Testi i parë negativ nuk do të thotë fundi i karantinës së saj vullnetare. “Kryeministrja do të vazhdojë të qëndrojë në vetëkarantinim dhe do të testohet sërish të hënën. Periudha e saj e vetëkarantinimit do të përfundojë, nëse testi i saj i dytë COVID-19 gjithashtu del negativ”, njoftoi qeveria finlandeze.

Por nuk ishte problemi i vetëm i javës. Pak ditë më parë Marin u gjend në qendër të polemike seksiste për një foto-portret në një reviste mode finlandeze. Marin shfaqej në foto me një dekolte të theksuar.

Pasi e publikoi foton në Instagram, veshja u cilësua si “e papërshtatshme” nga disa përdorues në rrjetet sociale, duke kritikuar edhe zgjedhjen e një kryeministreje për të bërë modelen gjatë pandemisë.

Por gratë finlandeze dhe jo vetëm u rreshtuan me të duke nisur në rrjetet sociale edhe një fushatë me fotografi me dekolte, shoqëruar me hashtagun, #imwithsanna. Mijëra postime janë bërë në Instagram ku njerëzit pozojnë ngjashëm me Marin, duke kundërshtuar akuzat seksiste ndaj kryeministres. Sipas tyre, kryeministrja nuk po gjykohet për vendimet politike (së fundmi Marin ndërmori nismën kurajoze për të ulur orët e punës nga tetë orë në gjashtë), por për look-un e saj. Sipas një skeme që përdoret shpesh me gratë në pushtet.