Bota Një shekull Parti Komuniste Kineze, fishekzjarre dhe urime nga hapësira

Një shekull Parti Komuniste Kineze, fishekzjarre dhe urime nga hapësira

Presidenti i Kinës, Xi Jinping mori pjesë në një event në sallë të mbyllur për nisjen e festimeve të 100-vjetorit të Partisë Komuniste të Kinës, duke u mburrur se vendi e ka mundur Covid-19 duke injoruar faktin se ishte burimi i virusit.

Jinping udhëhoqi duartrokitjet në stadiumin e Pekinit të hënën ku u bë një përmbledhje e historisë së partisë që nga krijimi deri në përballimin e pandemisë.

Eventi u mbajt nën masat të rrepta sigurie dhe nuk u transmetua në televizion. Ai vjen pak para datës 1 korrik që shënon dhe 100-vjetorin e Partisë Komuniste, e cila ka formuar historinë moderne të Kinës, duke udhëhequr vendin nga statusi “i shkatërruar nga lufta” në superfuqi.

Shfaqja ishte e mbushur me sete koreografike të historisë komuniste, dedikime për udhëheqësit kryesorë nga Mao Ce Dun deri në Xi dhe madje një përshëndetje nga grupi i astronautëve kinezë që ndodhen aktualisht në hapësirë.

Partia Komuniste e Kinës kishte 91.9 milion anëtarë në vitin 2019, që është 6.6 përqind e popullsisë së përgjithshme të vendit dhe ka qenë në pushtet që nga viti 1949.

Anët e errëta të historisë së partisë, të tilla si uria e fundit të viteve 1950, Revolucioni Kulturor i viteve 1960, ose masakra e Sheshit Tiananmen 1989, nuk u përmendën.

Ceremonia përfundoi me këndimin e këngës “Pa Partinë Komuniste, nuk do të kishte Kinë” dhe fishekzjarre pesë minutëshe.