Aktualitet Një tjetër pacient me Covid tenton vetëvrasjen në Spitalin Infektiv

Një tjetër pacient me Covid tenton vetëvrasjen në Spitalin Infektiv

Një tjetër ngjarje e rëndë është shënuar në spitalet Covid. Ditën e sotme një pacient i infektuar me Covid-19 është hedhur nga kati i dytë i spitalit. Ai është 69-vjeçari me iniciale R.B.

Policia e Tiranës thotë se pacienti është në gjendje të rëndë nën kujdesin e mjekëve.

Ngjarja ka ndodhur në Spitalin Infektiv në rrethana të paqarta.

“Më datë 10.11.2020, rreth orës 12:30, dyshohet se është vetëhedhur nga lartësia e një spitali shtetasi R.B., 69 vjeç,  i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Grupi hetimor dhe shërbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje dhe  vijojnë punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes“, deklaroi policia.

Pacienti i infektuar me koronavirus ishte i shtruar në spital prej disa ditësh. Nuk dihet nëse vuante nga sëmundje të tjera.

Policia ka nisur hetimet për këtë ngjarje të rëndë. Ky është rasti i katërt kur pacientët e sëmurë me koronavirus kryejnë vetëvrasje duke u hedhur nga lartësia e spitalit. Tre rastet e mëparshme janë shënuar në spitalin “Shefqet Ndroqi”.