Sport Falsifikoi lejen e qëndrimit, dënohet futbollisti i Tiranës

Falsifikoi lejen e qëndrimit, dënohet futbollisti i Tiranës

Winful Cobbinah, futbollisti i  Tiranës, është dënuar me 100 orë punë nga Gjykata e Tiranës pasi ishte nën hetim për falsifikim të lejes së qëndrimit. Fillimisht prokuroria ka kërkuar një dënim me 4 muaj burgim. Por ky dënim me burg është pezulluar nga gjykata, e cila ka vendosur të detyrojë Cobbina të kryejë dënimin duke bërë 100 orë punë të detyruar në bashkinë e Tiranës.

Nga hetimi i prokurorisë, ka rezultuar se leja e qëndrimit ishte prodhuar në fotokopje me ngjyra. Futbollisti nga Gana është kapur nga policia në 6 qershor 2019 me dokumente të falsifikuara në momentin që po nisej me avioni nga Shqipëria drejt Turqisë. Gjatë kontrollit, policia kufitare në Rinas ka konstatuar se viza njëvjeçare e tij kishte skaduar që me 15 janar 2019, ndërsa i kërkoi nëse kishte një leje qëndrimi.

Cobbina i paraqiti një leje qëndrimi me numër 138564, lëshuar nga Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit në Tiranë, në 15 dhjetor 2018 dhe vlefshme deri 15 shkurt 2019. Por në lejen qëndrimit në emrin e tij, që edhe ajo kishte skaduar, ishte shënuar një numër pasaporte, i cili nuk i përkiste Cobbina, por një personi të tjetër, konkretisht Junior Yunus Sentamu, të cilit i ishte refuzuar leja e qëndrimit në Shqipëri për mungesë dokumentacioni. Policia e ka bllokuar lejen e qëndrimit si të falsifikuar, pasi i përkiste dikujt tjetër, por që kishte foton e ganezit.

Sipas dosje e prokurorisë, “Cobbina deklaron se pasi ka qenë në Shqipëri në korrik 2018, pas 10 ditësh që stërvitej me Klubin Tirana, gjatë stërvitjes një ditë që nuk e kujton datën, në stadiumin “Selman Stërmasi”, ka parë një person që iu duk i rëndësishëm që qëndronte në shkallët e stadiumit dhe shikonte ndeshjen miqësore. Këtë person e kishte vërejtur edhe disa herë më parë dhe ai pas ndeshjes e ka thirrur në emër ‘Cobina’ dhe i është afruar. Personi iu drejtua në anglisht, pasi nuk e fliste shumë mirë, por mund ta kuptonte. E ka ftuar për të pirë një kafe. Pasi janë ulur në kafe ai e pyeti nëse kishte përfunduar procesin e pajisjes me leje qëndrimi dhe Winnful i ka thënë se ishte në proces dhe se me procedurat merrej përfaqësuesi i Klubit Tirana. Ai tha që të mos shqetësohej se ai do ta ndihmonte për t’u pajisur me leje qëndrimi”, thuhet në dosjen e prokurorisë që është referuar në Gjykatën e Tiranës.

Po sipas kësaj dosje, Cobbina ka pohuar se tre javë pas takimit të parë, ky person ka ardhur në stadium dhe i ka dhënë një zarf, në të cilën ishte leja e qëndrimit të tij. Futbollisti thotë se as që e ka lexuar lejen, por e ka mbajtur me vete si të rregullt. Sipas tij, fotografinë e tij që ndodhet në leje, personi i ka marrë nga interneti. Futbollisti pretendon se nuk e njeh këtë person. Ndërkaq, Cobbina ka pohuar në prokurori se e njeh personin tjetër, Junior Yunus Sentamu, numri i pasaportës të të cilit ndodhej në lejen e qëndrimit. Sentamu ishte kolegu i tij futbollist.