Kryesore “Nuk ka firmë nga Basha,” Celibashi: KQZ vendos për “fatin” e PD-së

“Nuk ka firmë nga Basha,” Celibashi: KQZ vendos për “fatin” e PD-së

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të marrë nje vendim për Partinë Demokratike vetëm pas skadimit të afatit prej 48 orësh që kësaj force politike iu vu në dispozicion. Ka qenë ky qëndrimi i mbajtur nga komisioneri Ilirjan Celibashi, i cili u pyet sot për qëndrimin e mbajtur nga grupimi i Alibeajt ditën e sotme.

“Vendimin do ta marr pasi të ketë kaluar afati 48 ore që i është dhënë PD-së për të plotësuar dokumentacionin që në bindjen time është i mangët,” deklaroi Celibashi.

Pas përfundimit të këtij afati, vendimi mund të merret për një ose dy ditë në varësi të ngarkesës që mund të ketë KQZ.

Kryekomisioneri nuk pranoi të përgjigjej, i pyetur se çfarë do të ndodhë me PD-në nëse përfaqësuesit ligjor të selisë blu që njeh KQZ, nuk dorëzojnë deklaratën e firmosur nga Basha. Ai theksoi edhe një herë se vendimet do të merren pas skadimit të afatit.

Kujtojmë se më herët gjatë ditës së sotme, përfaqësuesi ligjor i PD-së, i dërgoi KQZ-së një njoftim për shtyp të PD me fjalimin e Bashës përmes të cilit ai dha dorëheqjen nga drejtimi i partisë.

Indrit Sefa i shpjegon Celibashit se dorëheqja e Bashës është fakt i njohur botërisht që nuk ka nevojë të provohet ndaj dhe nënvizon se dokumentacioni i paraqitur është i plotë.