Politika “Nuk ka marrëveshje me Ramën, por dialog politik”, Bardhi: Do shkojë ai...

“Nuk ka marrëveshje me Ramën, por dialog politik”, Bardhi: Do shkojë ai 3 hapa pas

Gazment Bardhi ka mohuar akuzat për marrëveshje me kryeministrin Edi Rama. Në një deklaratë për mediat pas përfundimit të mbledhjes së grupit të PD-së, Bardhi theksoi se ka një dialog politik normal në mënyrë që palët të dialogojnë dhe gjejnë zgjidhje për problemet e tyre, ndërsa presin finalizimin në kuvend të kësaj dakordësie.

“Nuk ka asnjë marrëveshje, ka një dialog politik normal për një vend kandidat për në Bashkimin Europian që në institucione palët të dialogojnë dhe gjejnë zgjidhje për problemet e tyre. Sa për hapa pas e ti numërojë se do shkojë ai 3 hapa pas”, tha kreu i grupit parlamentar demokrat.

Në lidhje me deklaratën e Salianjit, se nuk ka fitore me Ramën, Bardhi u përgjigj se përveç tij, i gjithë grupi demokrat mbështeti në parim dakordësinë e shprehur dje në mbledhjen e konferencës së kryetarëve.

“Secili është i lirë të shprehë mendimin e tij. E ka shprehur edhe në mbledhjen e grupit nuk kam asnjë koment. Grupi i PD me një zë kundër ka mbështetur në parim dakordësinë e shprehur dje në mbledhje. Nuk ka marrëveshje me Ramën, ka dialog për t’i dhënë zgjidhje situatës në kuvend që nuk është shkaktuar nga opozita, por se nuk plotësoheshin të drejtat kushtetuese të opozitës. Për ne, për grupin e PD, normalizimi i jetës parlamentare ka qenë e mbetet qëllim i joni pa tejkaluar nevojën që ka Shqipëria për respektimin e kushtetutës. Kemi rënë dakord në konferencën e kryetarëve është duke punuar për të finalizuar këtë dakordësi. Jemi që kjo të përkthehet në vendimmarrje të Kuvendit të Shqipërisë”.

Bardhi njoftoi gjithashtu se nesër do të bëjë një tjetër kallëzim penal për kryeministrin Rama me fakte e prova.