Aktualitet Nuk ka trup as të gjallë dhe as të vdekur, gazetarët tregojnë...

Nuk ka trup as të gjallë dhe as të vdekur, gazetarët tregojnë detaje nga hetimet për Ervis Martinajn

Gazetari Eni Ferhati deklaroi se duke iu referuar hetimeve 10 ditore ka dyshime që Ervis Martinaj të jetë eliminuar fizikisht.

“Prej 10 ditësh policia po kryen hetimet intensive. Xhaxhai i Ervis Martinaj, zoti Faik Martinaj, i cili më 10 gusht depozitoi një kallëzim në Kurbin, ku deklaronte se në mënyrë të tërthorë që nipi i tij kishte humbur kontaktet me persona të caktuar dhe mund t’i ketë ndodhur një gjë e keqe. Policia është vënë në lëvizje”, u shpreh Ferhati për Euronews Albania.

Gazetari nënvizoi se Policia është vënë në lëvizje referuar faktit se ndaj kujt kundërshtarëve ishte ekspozuar Martinaj, pasi sipas tij ishte i përfshirë në shumë ngjarje kriminale të ndodhur vitet e fundit.

“Kjo e lidhur edhe me disa ngjarje të kohëve të fundit, ku Ervis Martinajt i janë eleminuar personat më të afërt, ushtarët e tij dhe djali i xhaxhait, Brilant Martinaj”, tha më tej Ferhati.

Ndërsa gazetari Poli Hoxha u shpreh se jeta e Ervis Martinajt ka qenë mes biznesit dhe botës së krimit.

Në një intervistë për Euroneës Albania, ai u shpreh se Ervis Martinaj, përveç angazhimit në botën e krimit, u bë manjati i ligjshëm i kompanive të llotove.

“Pasi u mbyllën makinat e fatit ai u bë manjati më i madh i ligjshëm i kompanive të llotove të bastit. Vetëm në shtet ai paguante miliona e milion euro taksa dhe bëhej fjalë për një pasuri shumë të madhe”, u shpreh gazetari.

Ai tregoi edhe detaje nga hetimet e prokurorisë, ku u shpreh se pista kryesore është rrëmbimi dhe më pas torturimi i tij nga armiqtë.

“Ervis Martinaj nuk kishte frikë as Policinë, as prokurorinë. Kishte frikë vetëm armiqtë, merrte masa dhe filluan t’ia eleminojnë bashkëpunëtorët më të ngushtë”, tha gazetari.

Ai nënvizoi se Martinaj më shumë ndiqej nga armiqtë e sesa nga Policia dhe Prokuroria.

“Sipas hetimeve nuk ka trup as të gjallë dhe as të vdekur. Ende nuk kemi një njoftim të policisë. Hetimi është në disa pista. Ajo që mund të thuhet është që ‘kokën’ e Ervis Martinajt, më shumë se nga shteti dhe Policia, ruhej nga armiqtë e tij. Ai është i njohur për lojërat e fatit”, u shpreh ai.