Adolfo Sormani ka sqaruar në një intervistë për “tuttomercatoweb.com” arsyet e largimit nga Partizani. Sipas trajnerit italian, nuk bëhet fjalë për shkarkim të tij nga ana e klubit, por për një marrëveshje mes tij dhe “Të kuqve” për prishjen e kontratës.
Sormani thekson se “prishja konsensuale” e kontratës erdhi pasi ai nuk pranoi të përgatiste ekipin kur në të kishin rezultuar 5 lojtarë me koronavirus.
“Nuk ishin kushtet për të garantuar sigurinë. Nuk e kam fjalën për sigurinë time dhe të stafit tim, por për sigurinë e të gjithë atyre që punojnë apo janë të lidhur me skuadrën, me stërvitjet apo ndeshjet. Ditët e fundit, dy futbollistë kishin rezultuar pozitivë ndaj koronavirusit dhe unë i kërkova klubit që të bënin tamponë të gjithë. Të enjten e 9 korrikut, kur përgjigjet e tamponëve nuk kishin ardhur ende, mua m’u kërkua të drejtoj stërvitjen dhe të përgatis skuadrën për derbin. Refuzova duke u thënë se është një situatë që nuk mund të merret lehtë. Nga ana etike dhe morale nuk mund të merrja këtë lloj përgjegjësie ndaj ekipit. Lojtarët u stërvitën gjithsesi, ndërsa më pas dolën përgjigjet e tamponëve, ku edhe tre të tjerë rezultuan pozitive”, thotë Sormani.
Sipas trajnerit italian, “sporti vjen pas shëndetit”.
“Mora në telefon një virolog në Itali dhe ai më tha që të ndalonim menjëherë. Unë vetë u futa në izolim që më datën 8 korrik, pasi kështu duhej bërë, por askush nuk ma imponoi këtë. Për mua nuk kishte kushte për stërvitje dhe jo më për ndeshje. Imagjino, nuk kishim as maska. Për klubin ishte gjithçka në rregull, edhe Federata dha lejen për t’u luajtur ndeshja. Për mua nuk ishte kështu, në disa rrethana aspekti sportiv nuk është prioritet”, sqaroi Sormani.