Vijon të firojnë listat shumëemërore të kandidatëve për deputetë të opozitës.
Dy kandidatë të tjerë kanë dorëzuar sot në KQZ formularin e vetëdeklarimit, duke pranuar të marrin mandatet për të plotësuar vakancat në Kuvend.
Ata janë, kandidati i PD-së në qarkun e Korçës, Andi Përmeti dhe ai i LSI-së në qarkun e Beratit, Eugen Bojaxhiu.
Andi Përmeti ka qenë ndër kandidatët që është shprehur kundër Lulzim Bashës gjatë zgjedhjeve në Partinë Demokratike, ndërkohë që pritet të marrë mandatin e deputetit dhe të jetë pjesë e “opozitës së re”.
Përmeti, me profesion avokat dhe pedagog në Fakultetin e Drejtësisë ishte kandidati me nr.12 në qarkun e Korçës.
Ndërkohë, Eugen Bojaxhiu ka garuar në zgjedhjet e 2017-ës në listën e qarkut të Beratit.
Bojaxhiu është me profesion mjek patolog dhe ishte i renditur si nr.6 në listën e kandidatëve.
Ndërkohë sot KQZ i dha mandatin dy deputetëve nga lista shumëemërore e Partisë Demokratike në qarkun e Dibrës dhe atë të Korçës.
Halil Jakimi mori mandatin e deputetit për qarkun e Dibrës, ndërsa Arlind Çarçani për qarkun e Korçës duke çuar numrin e deputetëve në Kuvend në 103.