Sport Objektivi utopik i UEFA-s: Champions League të përfundojë deri në 15 gusht

Objektivi utopik i UEFA-s: Champions League të përfundojë deri në 15 gusht

Nuk do të jetë e lehtë, ndoshta një utopi. Pavarësisht pandemisë globale të koronavirusit, objektivi, apo ëndrra e UEFA-s mbetet përfundimi i këtij sezoni i kompeticionit më të rëndësishëm futbollistik të planetit, ai i Champions League.

Organizata europiane e futbollit kërkon të gjejë datat e duhura për ndeshjet e fundit të kthimit të fazës së 1/8-ave, duke vazhduar më pas me çerekfinalet, gjysmëfinalet dhe finalen e Stambollit, me një zgjatje të sezonit deri në fund të gushtit. Kur kanë mbetur edhe 17 ndeshje për t’u zhvilluar, gjithçka pritet të shpërndahet, teorikisht, në 11 ditë dhe 6 javë. Pra, java e parë me përfundimin e raundit të 1/8-ave, java e dytë me takimet e para të çerekfinaleve, ndërsa një javë më vonë ndeshjet e kthimit. Në javën e katërt pritet të luhen sfidat e para të gjysmëfinaleve, ndërsa një javë më vonë ndeshjet e kthimit. Në javën e pestë, finalja e Stambollit që mbetet pas 15 gushtit.

Gjithsesi, detyra më e vështirë mbetet një kombinim kalendarik mes kupave dhe kampionateve të vendeve të ndryshme, ku disa ekipe janë pjesëmarrëse edhe në Champions League. Ky nuk është i vetmi projekt dhe ka disa skenarë alternativë që do të konsiderohen vetëm pasi të braktiset ideja më ambicioze. Një prej tyre është zhvillimi i garave me një takim, për të diskutuar finalen më pas në një përplasje me 4 deri në 8 skuadra. Sipas të gjitha gjasave, sezoni i ri, 2020-2021, do të fillojë në tetor.