Bota OBSH ndryshon udhëzimet për maskat, Trump: Vendosni si të doni, unë nuk...

OBSH ndryshon udhëzimet për maskat, Trump: Vendosni si të doni, unë nuk do ta vendos

Në një ndryshim jo të vogël nga këshillat e dhëna në ditët e mëparshme, tashmë edhe Shtëpia e Bardhë i bashkohet Organizatës shëndetësore të Mjekësisë e cila ka filluar të këshillojë përdorimin e maskave në rrugë, si mjet parandalues për përhapjen e koronavirusit.

Kjo vjen nga studimet e fundit që tregojnë një qëndrueshmëri më të gjatë të virusit në ajër nga ajo që mendohej.

Në komunikimin ditor me gazetarët, Donald Trump theksoi se rekomandimet e reja nuk duhet të shihen si një zëvendësim i masave tradicionale, të konsideruara jetike për të ngadalësuar fluksin e COVID-19, që deri tani vetëm në New York ka marrë më shumë jetë se sulmet e 11 shtatorit 2001.

“Maskat do të jenë diçka vullnetare. Mund ta vini, ose jo. Unë nuk do ta vendos”, tha Trump.

Në fakt, debati midis tij dhe stafit mjekësor që e këshillon thuhet se ka qenë i fortë. Sipas Shtëpisë së Bardhë, ndryshimi i shpeshtë i udhëzimeve mund të krijojë alarm shoqëror por edhe një mosbindje të rregullave të karantinës.

Një ditë më parë profesor Anthony Fauci që drejton përgjigjen amerikane ndaj koronavirusit, i pyetur nga CNN për ndryshimin e udhëzimeve për maskat, kishte thënë që “tani që dimë që personat asimptomatikë e transmetojnë virusin, është e qartë që veshja e maskave nuk mund të jetë ide e keqe”.

Fauci, për herë të parë nuk ndodhej në konferencën për shtyp të presidentit.