Bota OKB paralajmëron: Ndryshimet klimatike rrisin emigracionin dhe urinë

OKB paralajmëron: Ndryshimet klimatike rrisin emigracionin dhe urinë

Ngrohja globale e shkaktuar nga njeriu do të shtojë thatësirën dhe shira ekstreme në të gjithë botën, duke dëmtuar prodhimet agrikulturore. Një zhvillim të tillë e parashikon raporti, “Ndryshimet klimatike dhe territoriale”, i Komitetit Shkencor të Kombeve të Bashkuara për klimën.

Ata që do të vuajnë më shumë pasojat, shpjegojnë ekspertët, janë popullatat më të varfra të Afrikës dhe Azisë. Por edhe Mesdheu shfaq rrezik të lartë dezertifikimi. Ndër pasojat serioze që do të shkaktojë ngrohja globale është rritja e emigracionit dhe urisë në planet.

Për të luftuar rritjen e temperaturave, shkencëtarët këshillojnë reduktimin e konsumit të mishit dhe rikthimin tek dieta bimore.

“Mënyra se si ne prodhojmë ushqim dhe çfarë konsumojmë, kontribuon në humbjen e ekosistemit natyral dhe uljen ebiodiversitetit. Kur toka është e degraduar, zvogëlohet aftësia e saj për të thithur karbon dhe kjo përkeqëson ndryshimet klimatike”, tha shkencëtarja Valerie Masson-Delmotte.

“Shkenca është shumë e qartë. Sistemi i Tokës ndërvepron me klimën në një mënyrë shumë dramatike. Në mënyrë që të mbrojmë klimën dhe ekosistemin natyral, ne duhet të ndryshojmë rrënjësisht sistemin tonë ushqimor. Kjo përfshin reduktimin radikal të konsumit të mishit dhe prodhimeve të bulmetit”, shtoi specialistja për agrikulturën dhe ngrohjen globale Reyes Tirad.

Shkencëtarët evidentuan se çereku i planetit është bërë i pabanueshëm dhe i papërdorshëm. Ata e shohin reduktimin e konsumit të mishit si mënyrën e vetme për të arritur objektivin e vendosur në Akordin e Parisit për Klimën që deri në vitin 2030, rritja e temperaturave të jetë nën 1.5 gradë Celcius. Nëse kjo nuk arrihet, rreziqet do të jenë shumë të larta.