Bota Rusia po bën gati fabrikën bërthamore lundruese, ekspertët: Një Çernobil mbi akull

Rusia po bën gati fabrikën bërthamore lundruese, ekspertët: Një Çernobil mbi akull

Ndërmarrja bërthamore e Rusisë Rosatom po përgatitet të lançojë fabrikën e parë lundruese bërthamore në botë në Oqeanin Arktik – një projekt që tashmë po krahasohet me katastrofat e kaluara bërthamore.

Fabrika e Akademik Lomonosov do të lundrojë brenda disa javësh, por tani për tani, anija është e ankoruar në Murmansk, një qytet rus vetëm 200 km larg kufirit të Norvegjisë.

Pastaj do të tërhiqet 5000 km përmes Rrugës së Detit Verior deri në Pevek, ku ka për qëllim të sigurojë nxehtësi dhe energji për shtëpitë lokale dhe të ndihmojë me operacionet e minierave dhe shpimeve në rajonin Chukotka të Rusisë.

Anija me gjatësi prej 140 metrash, e gjerë 30 metra, e cila mund të transportojë 69 marinarë me një shpejtësi mesatare prej 7.5 km / orë në kushte të favorshme, është “projektuar për operim në Veriun e Largët dhe Lindjen e Largët.

Qëllimi i saj kryesor është të sigurojë energji për ndërmarrjet e largëta industriale, qytetet porte, si dhe platformat e gazit dhe naftës të vendosura në det“, tha Rosatom në një deklaratë.

Ajo gjithashtu ka një “diferencë të madhe sigurie, e cila tejkalon të gjitha kërcënimet e mundshme dhe i bën reaktorët bërthamorë të paprekshëm ndaj cunamit dhe katastrofave të tjera natyrore.”

Anija është e pajisur me “dy impiante të reaktorit KLT-40S, të cilat janë të afta të gjenerojnë deri në 70 MË energji elektrike dhe 50 Gcal/h energji termike, sasi kjo e mjaftueshme për të ruajtur jetën e një qyteti me një popullsi prej rreth 100 mijë njerëz.

Ndërmarrja bërthamore ruse gjithashtu pretendon se anija është “praktikisht e paprekshme” dhe nuk do të preket nga përplasjet me ajsbergët.

Sidoqoftë, OJQ-të mjedisore kanë ngritur shqetësime për sigurinë në lidhje me projektin, me Greenpeace që e quan uzinën bërthamore një “Chernobyl mbi akull”.

“Nëse një aksident bërthamor ose rrezatim ndodh në Arktik, do të jetë shumë më e vështirë të eliminohen pasojat e tij.

“Likuiduesit do të përballen me kushte të vështira të motit, dhe qindra apo edhe mijëra kilometra mund t’i ndajnë ato nga infrastruktura e nevojshme.

“Në rrethana të tilla, askush nuk ka eliminuar aksidentet bërthamore, askush nuk ka përvojë të tillë, dhe Rosatom nuk është gati për këtë,” thanë ekspertët e ambientit.

Sipas planeve zyrtare, termocentrali lundrues bërthamor do të përdoret për prodhimin e naftës, gazit dhe qymyrit në Arktik. Por djegia e karburanteve fosile është një nga burimet kryesore të gazrave serë, për shkak të të cilave po ndodhin ndryshimi i klimës dhe shkrirja e Arktikut.