Sport Operacioni galaktik i Realit: Pse ka përparësi Haaland dhe jo Mbappé

Operacioni galaktik i Realit: Pse ka përparësi Haaland dhe jo Mbappé

Erling Haaland (20 vjeç) është një nga “bizhuteritë” e futbollit. Real Madridi po monitoron çdo hap të tij, aktualisht te Borussia Dortmund, duke pritur momentin e saktë për të trokitur te klubi verdhezi. Kjo verë mund të jetë koha e duhur. Edhe pse objektivi kryesor është Kylian Mbappé (22 vjeç), Perez dëshiron të nënshkruajë me një yll verën që vjen. Dhe, nëse ky opsion ndërlikohet, atëherë do të nisë sulmin për norvegjezin, siç raportohet nga Josep Pedrerol në “El Chiringuito”.

Aspekti ekonomik do të jetë thelbësor. Nga ky këndvështrim, ardhja e Haaland është shumë më e realizueshme se ajo e Mbappé. Ylli i Borussia Dortmund ka një vlerë prej 110 milionë euro, sipas Transfermarkt, larg 180 milionë eurove, sa vlen sulmuesi i PSG. Edhe pse ato janë vlerësime teorike, llogaritet që Haaland mund të ketë një çmim më të lartë. Sidoqoftë, klubi është i vetëdijshëm se shpenzimi do të jetë më i ulët në rastin e norvegjezit sesa të kampionit të botës. Dhe jo vetëm si blerje, por edhe si pagë. Erling aktualisht është duke fituar rreth 8 milionë euro neto në sezon, ndërsa Mbappé, më shumë se 22 milionë euro. Një diferencë e dukshme prej 14 milionë euro.

Të dy kanë ambicien për të luajtur me Real Madridin, ndaj do të ishin të gatshëm të dëgjonin çdo propozim nga klubi i bardhë. Haaland ka miratimin e Dortmundit për t’u larguar. Siç raporton “AS”, klubi gjerman ka marrëveshje me agjentin e tij, Mino Raiola, për ta lehtësuar transferimin diku tjetër, nëse dëshiron të ndryshojë skenën. Në teori, kjo gjendje do të hynte në fuqi në vitin 2022, por situata e keqe sportive dhe ekonomike (një deficit prej 75 milionë euro këtë sezon) mund t’i avancojnë lëvizjet.

PSG nuk do t’ia bëjë aq të lehtë misionin me Mbappe. Kjo, gjithashtu do të varet nga qasja e 22-vjeçarit. Bordi drejtues i parizienëve po i ofron atij një kontratë të shkëlqyer rinovimi, sa Real Madridi nuk mund ta arrijë. Për këtë arsye, nënshkrimi i tij do të ishte i mundur vetëm në dy raste: e para, nëse sulmuesi vendos të mos rinovojë me PSG, edhe pse në këtë rast do të kishte më shumë të ngjarë të lëvizte më 2022 dhe falas; e dyta varet nëse PSG do të shkojë pas Messit për sezonin e ardhshëm, pasi nuk do të ishte e mundur të paguheshin tri paga të një kalibri të tillë (duke marrë parasysh edhe Neymar). Çfarëdo që të ndodhë, Real Madridi gjithmonë do të respektojë mendimin e lojtarit dhe të klubit parizien, me të cilin ka një marrëdhënie të shkëlqyeshme.

Çfarëdo që të ndodhë, Real Madridi tashmë është duke përgatitur një projekt të ri dhe gjithçka sillet rreth nënshkrimit të një ylli. Llogaritë këtë vit nuk janë ato të dëshiruara, por do të bëhet një përpjekje, që pritet të fillojë me shitjen e disa lojtarëve dhe rimbursimin e parave për goditjen e madhe. Gjithçka, me synimin për të ndërtuar përsëri një ekip galaktik.