Kryesore Shembja e Teatrit, Rama: Shumë yje u shuan pa një skenë dinjitoze

Shembja e Teatrit, Rama: Shumë yje u shuan pa një skenë dinjitoze

Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur t’i përgjigjet përmes rrjeteve sociale protestës së shoqërisë civile kundër shembjes së teatrit, të cilës iu shtuan edhe mbështetës të opozitës.

Përmes një statusi në faqen e vet në Facebook, Rama risjell në vëmendje faktin se debati për teatrin e ri vijon prej 21 vjetësh pa gjetur një zgjidhje dhe shton se shumë yje të skenës shqiptare u shuan pa pasur mundësi të performojnë në një skenë dinjitoze.

Teksa i quan si ‘tallashi e teneqeja e ngrehinës së shembur’ rivalët e tij politikë që i janë bashkuar protestës, Rama thotë se të rinjtë që sot gabimisht sipas tij i janë bashkuar atyre, do ta kuptojnë shumë shpejt se debati për teatrin ishte i kotë

“Sa shumë energji të harxhuara e vite të humbura kot për komunitetit tonë teatror, që qysh atëherë kaloi edhe 20 vjet të tjera në kushtet e një mizerjeje pa të dytë në Europë dhe sa keq për publikun artdashës, që nuk pati dot kurrë mundësinë të shijonte artet skenike në kushte dinjitoze as në TKOB e as në Teatrin Kombëtar!

Sa keq që tërë ato yje të skenës sonë kombëtare u shuan, pa punuar dot një ditë në një skenë normale dhe një gjeneratë e tërë u moshua, pa shijuar dot kurrë një shfaqje në kushte normale!

Skenat e reja kombëtare, kjo e Operas e Baletit dhe ajo e Teatrit Kombëtar, përveç të tjerash do t’i ndihmojnë edhe disa të rinj që gabimisht u janë “bashkuar” ca politikanëve e partive si tallashi e teneqeja e ngrehinës së shembur, të kuptojnë nesër pse sot ia fusin krejt kot, kur revoltohen për monumentin imagjinar që mbajti peng artet skenike, komunitetin teatror dhe debatin për Teatrin e Ri Kombëtar, tash 21 vjet”, shkruan mes të tjerash kryeministri.