Aktualitet Pak fjalë për dritën që duam të shohim nesër!

Pak fjalë për dritën që duam të shohim nesër!

02.04.2020! Ndërkohë qe prisnim me padurim pranverën me të gjithë ngjyrat që vetëm ajo di të pikturojë, u gjendëm përballë dhe në një kohë rrufe, në qendër të një situate kaotike, përhumbëse me emrin COVID-19. Një armik i padukshëm, u bë pjesë e ekzistencës tonë në kohën më të gabuar. Teknologjia tanimë i sjell “të rejat” me shpejtësinë e dritës, por derisa të na trokiste në derë, për ne ishte thjesht një lajm nga përtej oqeanit apo detit dhe që na merrte kohë duke na përfshirë ne lloj-lloj diskutimesh mbi teori komplotesh për skenarë filmash Fantastiko-Shkencor. E gjithë kjo luftë e padukshme na u shfaq fill pas tremujorit të fundit të vitit që lamë pas, ku Shqipëria u përball me fenomene natyrore, clirime të energjive te grumbulluara ndër dekada, të pajetuara kaq pranë nga ne, rinia e këtij vendi, e ardhmja e tij. Humbjet e jetëve dhe humbjet e shumta të investimeve, përveç se na rrënuan psikologjikisht, na bënë të na ndizeshin llampat e pasigurisë për jetën. Për herë të parë ndjemë frikë për të ardhmen. Ndërkohë që përçapeshim për të fshehur pasiguritë dhe frikërat tona, ndiqnim çdo informacion në median e shkruar dhe atë virtuale për buxhetet e konsiderueshëm të formuar prej ndihmave të vogla dhe shumave marramendëse të shteteve të mëdha, disa në formën e ndihmave dhe disa ne formën e kredive afatgjata. Situatë e vështirë sigurisht, por ndarja e roleve në menaxhimin dhe mbulimin e dëmeve si dhe mbikqyrja nga të gjitha strukturat e nevojshme, përfshi këtu edhe kredidhënësit, mendonim që do të jepte frytet e veta ne afatshkurtër. Pra, detyra jonë ishte vetëm që të zhvisheshim nga paniku dhe të rifitonim sigurinë e humbur brenda një nate, duke vijuar rrugëtimin tonë drejt mësimnxënies dhe pozicionimit tonë në shoqëri, besimplotë se ekonomia po gjen rrugën e qetësisë dhe stabilitetit. Por jo!!!

Covid-19 tanimë i pranishëm prej 1 muaji po na vendos në sprovë secilin prej nesh, shoqërinë, ekonominë tonë, praktikisht Shqiperinë. Jemi në një luftë botërore, ama nuk jemi vetem.Ky rrezik është real, brenda shtëpive të gjithësecilit.

Shqipëria u rëndit krah vendeve të prekura duke marrë masa drastike, legjitime, të studjuara mirë dhe tepër të domosdoshme për të penguar përmbushjen e misionit të Covid-19, në mbrojtje të gjësë më të shtrenjtë, jetës së njerëzve. Shteti ngriti mekanizmat e garantuesit dhe mbrojtësit të jetës duke u përgëzuar nga Organizmat Ndërkombëtarë për shpejtësinë e reagimit ndaj të padukshmit armik.

Por a duhet të qëndrojmë indiferentë, të qetë dhe moskokëçarës për atë çka do të vijë me pas?

Kjo Shqipëria jonë e vogël me një GDP modeste, shumë të varur nga konsumi vendas, a mund ta kalojë pa pasoja ekonomike këtë situatë për të cilën dimë kaq pak, për të thënë aspak?

Nuk kemi dëshirë e as qellim të dukemi pesimistë për situatën ekonomike në vend, por me aq njohuri financiare sa kemi marrë në auditore, jemi në gjendje të kuptojmë që vendi yne do përballet me kohëra të vështira ekonomike, ndoshta të pajetuara gjatë viteve të fundit. Ekspertët janë të mendimit se virusi ka fuqinë te gjunjëzojë ekonominë botërore nëse koha është në favor të tij.

Ndryshe nga kriza e 2008-s, që nxorri në pah brishtësinë e sistemit financiar, dhe në përgjigje u bënë ndryshimet e nevojshme në strukturat financiare, e sotmja nuk është më një krizë bankare, hipotekore apo kolaterale, apo prodhimi në kuptimin e vetëm një sektori të ekonomisë, por ekonomia në tërësi është e goditur duke rrezikuar të kthyerit ne një krizë konsumi dhe likuiditeti.

Pasojat për ekonomitë në të gjithë botën do të jenë të prekshme, materiale, por mendojmë se nëse reagimi i politikave potenciale të qeverive do të jetë imediat, mund të shmangë një recesion global.

Jemi në tremujorin e dytë të buxhetit 2020 dhe mesa duket buxheti i planifikuar për këtë vit, do të fillojë pak nga pak të shterohet dhe borxhi publik të zgjerohet.Qeveria është në proces hartimi planesh financiare ku në fokus dhe prioritet jane grupet vulnerabel të cileve ju duhet siguruar minimumi i shportës së konsumit. Masat karantinë të kohëve të fundit nga autoritetet Europiane dhe jo vetëm, mbyllja e kufijve plotësisht, ka afektuar në menyrë direkte sektorët më vitalë dhe kontribuesit më të mëdhenj në të ardhurat publike sic janë: turizmi, hoteleria, restorantet, transporti, shërbimet, tregëtia, etj. Turizmi, një nga sektorët më të rëndësishëm që ka pësuar rritje të konsiderueshme vitet e fundit, i konsideruar nga qeveria si një nga motorët kryesorë të rritjes kombëtare, burim kryesor i këmbimit valutor, rritjes së PBB-së dhe një nga kontribuesit më të mëdhenj të të ardhurave fiskale, do të jetë më i godituri. Nëse kjo situate do të zgjasë, të ardhura të konsiderueshme do ti mungojnë arkës së shtetit pikërisht nga turizmi, pasi duke qenë një sektor qe jeton mbi bazë shërbimesh, nuk do të ketë kreditim nga sektori bankar si rezultat i mospasjes së aseteve si kolateral.

Mbyllja e kufijve do të sjellë problematika në bizneset të cilat e kanë të lidhur veprimtarinë e tyre kryesore me import-eksport të mallrave apo/dhe shërbimeve. Biznesi fason, i cili ka një peshë të madhe në fushën e punësimit në Shqipëri, me partner kryesor Italinë, e cila tashmë është në një kolaps ekonomik duke mbyllur dhe ajo një pjesë të madhe të fabrikave,e bën më të vështirë realizimin e punës në fasoneritë prodhuese në Shqipëri. Në të njëjtën kohë, mosfurnizimi me lëndë të pare për shumë degë të ekonomisë në vend përkohësisht si dhe duke mos ditur se sa do vazhdojë kjo periudhë, do të sjellë pasoja të mëdha në ekonominë tonë, ku normalisht një problem sado i vogël përkthehet në ndryshime të mëdha tregu.

Mendimi ynë eshtë që qeveria duhet të zgjerojë fokusin e mbështetjës ndaj biznesit, qoftë i madh apo i vogël, pasi fati i ekonomisë në të ardhmen varet pikërisht nga ekzistenca e një biznesi të shëndetshëm.  Jeta e biznesit ka nevojë për mbështetje që të mos provojë goditje fatale nga masat shtrënguese, papunësia, mungesa e likuiditetit si efekt i pandemisë, pasi pasojat e dështimit të tij, janë një zinxhir i pashmangshëm që përfundon te qytetari. Një plan i mirëformuluar dhe largpamës do mund të lehtësonte pasojat e një krize ekonomike qe kërcënon jo vetëm vendin tonë, por botën mbarë.

Qytetarët dhe bizneset, kane nevojë për mbështetjen e qeverisë për ruajtjen e vendeve të punës si dhe lehtesimet fiskale për ti dhënë frymëmarrje ekonomisë, pasi cdo biznes që mbyllet apo cdo qytetar qe ka humbur vendin e punës, sjell pak aktivitet ekonomik, dhe si rrjedhojë më pak para në arkën e shtetit. Duke patur në vëmendje se A dhe ZH e mirëqenies ekonomike është biznesi, mendojmë se qeveria duhet të angazhohet maksimalisht që ta shohë atë si bashkëshort, partner i cili duhet mbështetur domosdoshmërisht dhe veçanërisht në ditë të këqija pavarësisht kostove në periudhën afatgjatë dhe vështirësive të të mbajturit në ekuilibër nivelin e borxhit publik.

Viti 2020 nuk hyri me këmbë të mbarë, por qeveria me gjithë mekanizmat e mundshëm mund të sigurojë që pasojat e shkakut të harrohen shpejt. Qeveria, mbrojtësi kryesor i ekonomisë, është prindi baba, i vetmi që bën të mundur që demoralizimi yne për të ardhmen të zgjasë sa më pak, dhe të kemi besim që vërtet të gjithë bashke mund tja dalim!

Vendimet e qeverisë sot, do të na japin kurajo dhe mësime praktike sesi ne, financierët dhe ekonomistët e të nesërmes të përballojmë krizat potenciale me të cilat do të ndeshemi  ne rrugëtimin tone. Politikat dhe paketat fiskale, ekonomike të qeverisë sot,  do të jenë shembull konkret dhe orientuesit e dilemave tona të së nesërmes.

Duam të besojmë se ju do të gjeni të gjitha mekanizmat për të përqafuar proverbin: pas çdo stuhie, gjithmonë lind dielli!

Pas kësaj, të jeni te bindur se, ne financierët e së ardhmes, do t’ju mbajmë mend gjithnjë si mentorë të zgjidhjes së krizave. 

Klubi Studentor “Financieri Nesër”

Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë

(Në drejtimin e pedagogëve: Armelina Lila dhe Ardita Hykaj)