I dërguari i posaçëm i Departamentit të Shtetit për Ballkanin, Matthew Palmer u bëri thirrje udhëheqësve të partive në Shqipëri të zgjidhin me vullnetin e tyre ngërçin politik, që ai e quajti të fabrikuar.
Ai iu drejtua me një thirrje opozitës jashtë parlamentit: “Një rol për ju ekziston. Merreni këtë rol. Bojkoti nuk ju ka sjellë fuqi më të madhe politike. Ai nuk solli zgjedhje të parakohshme dhe nuk mund të sillte të tilla.”
Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës në Prishtinë Leonat Shehu, zyrtari i lartë amerikan i bëri këto komente në Kosovë të premten, gjatë një takimi me studentë dhe me përfaqësues të shoqërisë civile.
Zoti Palmer i bëri thirrje opozitës të shfrytëzojë rastin për të negociuar me vullnet të mirë reformën zgjedhore që kërkon.
Ai tha se komuniteti ndërkombëtar është i gatshëm të lehtësojë një përpjekje serioze në këtë aspekt. Në këtë mënyrë, tha ai, opozita do të mund t’i paraqesë popullit një arritje konkrete për të vendosur përmes një procesi të drejtë zgjedhor drejtimin që ajo dëshiron të marrë vendi.
Zoti Palmer foli edhe për reformën në drejtësi.
Fakti që më pak se 50% e mbi 160 gjyqtarëve dhe prokurorëve që i janë nënshtruar vetingut kanë arritur ta kalojnë atë është tregues se sa i korruptuar dhe i lidhur me krimin e organizuar ka qënë sistemi i deritanishëm, tha ai.
Shqipëria, theksoi zyrtari amerikan, është në prag të ngritjes së institucioneve të reja, si Prokuroria Speciale Anti-korrupsion (SPAK) dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, detyra e të cilave do të jetë të hetojnë korrupsionin, krimin e organizuar dhe krimet e zyrtarëve të lartë.
Zoti Palmer shtoi se ky është fundi i fillimit të pandëshkueshmërisë, siç u vërtetua edhe nga goditja e bosëve dikur të paprekshëm të krimit, si Klement Balili./VOA