E menduar dhe e planifikuar në detaje ashtu si në një film aksion që mund ta kemi parë me qindra herë në TV.
Gjithçka shkoi si duhet, deri në momentin që një prej tyre u vra.
Grabitja e sotme brenda vendit ndoshta më të sigurt në Shqipëri, aeroportit “Nënë Tereza”, madje brenda avionit ka lënë shumëkënd pa mend se si është realizuar.
“BW” sjell për herë të parë edhe pamjet ekskluzive të qarta të grabitjes. Bëhet fjalë për momentin kur grabitësit të armatosur i janë afruar avionit dhe kanë kryer grabitjen e 10 milionë eurove në pak minuta, ndërsa në avion ndodheshin 160 pasagjerë që prisnin të udhëtonin drejt Vjenës.
Në pamje duket një person i ngjashëm me personin e vrarë, me syze por pa maskë në fytyrë, jelek të zi dhe pantallona të zeza. Ai ndodhet anash avionit, pranë barkut, ku ndodheshin edhe paratë.
Para tij, ndodhet grabitësi tjetër por me uniformë tjetër, me lara ushtarake (uniformë operacionale) teksa me armën e ngritur kërcënon punonjësit. Të dy mbajnë në duar doreza.
Po kështu duken edhe bagazhet teksa futen në avion.
Këto janë pamjet e para, të qarta të ngjarjes dhe grabitësve brenda pistës në aeroportin e Rinasit. Ngjarja ndodhi sot rreth orës 15:00, teksa pesë persona i janë afruar me një mjet ku shkruhej “hetimi tatimor”, aeroportit. Tre kanë hyrë brenda pistës dhe kanë marrë paratë, dy të tjerë kanë qëndruar në makinë.