Bota Paradoksi i derrave radioaktivë të Bavarisë dhe fakti që habiti shkencëtarët

Paradoksi i derrave radioaktivë të Bavarisë dhe fakti që habiti shkencëtarët

Thellë në pyjet e Bavarisë në Gjermaninë Juglindore bredhin një sërë derrash të egër, një “lojë” e rrezikshme kjo për një vend ku gjuetia është thuajse traditë kombëtare.

Por, shumica e gjuetarëve do të mendoheshin dy herë përpara se të futeshin në pyll për t’i ndjekur këta derra të gjigantë.

Edhe nëse e gjurmojnë njërin prej tyre dhe e kapin, gjasat janë që nuk do të mund t’ia shijojnë mishin. Derrat janë shumë të rrezikshëm për t’u ngrënë sepse janë radioaktivë.

Në disa raste, derrat bavarezë janë disa qindra herë më radioaktivë sesa nivelet që konsiderohen të sigurta për konsum njerëzor.

Gjuetarët janë të vetëdijshëm për këtë fenomen, që zakonisht i atribuohet aksidentit të Çernobilit të vitit 1986, gjatë të cilit ndotja radioaktive u zhvendos në Evropë.

“Evropa është pak a shumë një rrëmujë për sa i përket ndotjes radioaktive,” thotë Georg Steinhauser, profesor i radioekologjisë fizike në Universitetin e Teknologjisë së Vjenës.

Për disa vite pas aksidentit të Çornobilit, të gjitha kafshët e pyllit, duke përfshirë drerët, lepujt dhe fazanët, ishin shumë radioaktive.

Por këto nivele u zbehën në shumicën e kafshëve. Çuditërisht, derrat e egër mbetën radioaktivë.

“Fenomeni i derrave të egër që janë kaq radioaktivë pas një kohe kaq të gjatë është quajtur paradoksi i derrit të egër”, thotë Steinhauser.

“Është kaq e pazakontë. Në asnjë specie tjetër nuk është parë diçka e tillë.”

Rezulton se derrat morën Cezium radioaktiv, një metal i rëndë, nga ngrënia e Elaphomyces, një lloj i veçantë i kërpudhave nëntokësore me të cilat ushqehen, e njohur gjithashtu si tartufi i drerit.

Ndryshe nga shumë bimë të tjera, kërpudhat janë vërtet të mira në thithjen e metaleve të rënda nga toka në të cilën rriten, thotë Steinhauser.

Ato grumbullojnë plumb, kadmium, merkur dhe në këtë rast konkret dy izotopë radioaktivë të metaleve të rënda, Cesium 135 dhe Cesium 137.

Për një kohë të gjatë, besohej se Ceziumi radioaktiv që derrat mbajnë në trupat e tyre erdhi nga aksidenti i Çornobilit.

Por një  studim i fundit  i kryer nga Steinhauser dhe kolegët e tij vuri në dukje burime të tjera befasuese: testimin e bombës bërthamore atmosferike ose mbitokësore të viteve 1940-1960, përpara se kjo praktikë toksike të ndalohej.

Bavaria Jugore ka më shumë shi dhe borë se disa pjesë të tjera të Evropës, duke i përqendruar pasojat nga testimi atmosferik në tokë.

“Rruga jugore e Bavarisë, vendi ku Alpet bëhen vërtet të pjerrëta, ka norma më të larta reshjesh”, thotë Steinhauser, dhe këtu rrjedhin dhe vendosen përfundimisht izotopet radioaktive.