Ekonomi Parashikimi i zymtë i Bankës Botërore për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor

Parashikimi i zymtë i Bankës Botërore për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor

Një raport i Bankës Botërore e ka përshkruar të zymtë situatën që po kalon Ballkani Perëndimor nga ndikimi i pandemisë. Sipas raportit, koronavirusi e ka zhytur rajonin në recesion të thellë duke kërcënuar vendet e punës dhe shtim të varfërisë.

Sipas Raportit të Rregullt Ekonomik (RER) të BB-së, rritja ekonomike e Ballkanit Perëndimor parashikohet të jetë -4.8 për qind në vitin 2020, 1.7 pikë përqindje më e ulët se sa parashikimi i bërë në muajin prill kur rajoni ishte në muajt e parë të prekjes nga pandemia – Bashkimi Evropian -8.4%.

Raporti thotë se vala e dytë dhe më e fortë e pandemisë, nga mesi i qershorit, ka penguar më tej rimëkëmbjen ekonomike të rajonit.

Deri në qershor, papunësia në rajon u rrit ndjeshëm me rreth 139,000 të papunë, ndërsa numri i atyre që janë prekur nga varfëria u shtua me qindra mijëra vetë.

“Numri i personave që kanë rënë në varfëri në Kosovë, Mal të Zi, Serbi dhe Shqipëri vlerësohet të jetë shtuar me 300,000 persona,” – thuhet nga BB-ja.

Sidoqoftë raporti vlerëson si pozitive ndërhyrjet e qeverive të rajonit, të cilat thuhet se “kanë shmangur një situatë edhe më të keqe”, ndërsa “prioriteti kryesor mbetet siguria shëndetësore dhe përballimi i pandemisë”.

Për vitin 2020-të rënia ekonomike në Shqipëri parashikohet nga BB-ja të jetë -8.4%, ndërsa në Kosovë -8.8%. Dy shtetet shqiptare janë ndër më të goditurat nga pandemia pas Malit të Zi, që parashikohet të ketë recesion me -12.4%.

Diçka më pak parashikohet të kenë recesion këtë vit Maqedonia e Veriut me -4.1%, Bosnje e Hercegovina me -3.2% dhe Serbia me -3%.

Raporti i BB-së vë në dukje se ndikimi kryesor i recesionit erdhi për shkak të mbylljes së kufijve, rëndësisë së turizmit në të ardhurat e përgjithshme ndërsa ngre shqetësim se qeveritë pavarësisht shtimit të deficiteve fiskale “po vijojnë të rrisin shpenzimet”.

“Përveç përmirësimeve në sistemet shëndetësore dhe mekanizmat e mbrojtjes sociale, hartuesit e politikave në rajon duhet të marrin masa për të rritur kapitalin njerëzor, për të forcuar institucionet dhe për të përmirësuar sistemin e sundimit të ligjit. Kjo situatë e pavaforshme, e cila kërkon rritjen e shpenzimeve në një kohë kur të ardhurat po bien, shton presionin mbi qeveritë e rajonit për t’i dhënë përparësi qëndrueshmërisë fiskale, përfshirë përmirësimin e shpenzimeve publike dhe forcimin e pajtueshmërisë tatimore”, deklaroi Drejtoresha e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor Linda Van Gelder.

Raporti vlerëson se shpejtësia e rimëkëmbjes, në periudhë afatshkurtër, do të varet nga ecuria e pandemisë, disponueshmëria e një vaksine që do të bëjë të mundur kthimin në normalitet të aktivitetit ekonomik dhe rimëkëmbja e qëndrueshme e partnerit kryesor tregtar të rajonit, që është BE-ja.