Bota Pas Twitter dhe Facebook, Donald Trump bllokohet edhe nga Youtube

Pas Twitter dhe Facebook, Donald Trump bllokohet edhe nga Youtube

Një tjetër rrjet social ka bllokuar Presidentin amerikan Donald Trump. Youtube ka pezulluar për 1 javë kanalin zyrtar të Trump në këtë platformë, për shkak të shkeljes së politikave të saj.

Bëhet fjalë për një video, që siç njoftoi Youtube, kishte nxitur dhunë. Kjo video u fshi ndërsa kanali i Youtube të Donald Trump u bllokua për 1 javë. Youtube nuk ka dhënë detaje të tjera rreth përmbajtjes së kësaj video, por ka deklaruar se pas 1 jave do të shqyrtohet nëse kanali i Trump do të hapet apo do të merren masa të tjera.

“Pas shqyrtimit të kujdesshëm dhe shqetësimeve në lidhje me nxitjen e dhunës, ne fshimë videon e re të ngarkuar në kanalin e Donald Trump dhe penalizuam kanalin e Donald Trump për shkeljen e politikave tona për nxitje të dhunës. Si rezultat, nuk mund të ngarkohen video të reja për të paktën 7 ditë”, tha një përfaqësues i Youtube.

Ndërkohë, Presidenti në detyrë Donald Trump është bllokuar në Facebook për një kohë të pacaktuar, ndërsa Twitter e ka ndaluar plotësisht.