Kryesore “Pasaportat e arta” dhe amnistia fiskale, ambasadorja e BE: Raporti është tejet...

“Pasaportat e arta” dhe amnistia fiskale, ambasadorja e BE: Raporti është tejet i qartë

Kryetarja e delegacionit të Bashkimit Europian në vendin tonë, Christiane Hohmann, i dorëzoi progres-raportin zv/kryeministres Belinda Balluku, në një konferencë të përbashkët për shtyp, ku u pyet edhe për “pasaportat e arta” dhe amnistinë fiskale.

“Raporti është tejet i qartë. Sigurisht që BE-ja respekton sovranitetin e shteteve për skemat për dhënien e nënshtetësisë, por duke pasur parasysh kontekstin ku jetojmë, kjo lloj skeme do të paraqiste rreziqe. BE i ka rekomanduar shteteve anëtare që t’i jepnin fund skemave të kësaj forme. KE është shumë i qartë dhe secili shtet vendos vetë më pas. Sa i përket amnistisë fiskale, ne vijojmë konsultimet”, tha Hohmann.

Ndërsa zv/kryeministrja Balluku theksoi: “Ne e lexojmë dhe analizojmë raportin, për t’i adresuar më pas gjetjet. Këto sfida duhen lexuar prej qeverisë dhe gazetarëve në mënyrën e duhur, pa pasur interpretime të cilat mund të keqinterpretohen”.

Më herët, Hohmann u shpreh për progres-raportin se “Shqipëria i është përmbajtur historikut të saj, duke qenë në përputhje me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian”.

“Dua të theksoj se konferenca e parë ndërqeveritare do të thotë që u çelën negociatat për anëtarësim dhe kjo është arritje tejet e rëndësishme. Raporti i këtij viti ofron vlerësim të drejtë për situatën në të cilën ndodhet vendi dhe ofron udhëzimet për reformat që duhet të ndjekë Shqipëria, që do të jetë në monitorim gjithmonë e më të fortë. Vlerësimi është që Shqipëria ka vijuar me agjendën e reformave të BE-së, pavarësisht sfidave që solli tërmeti, pandemia dhe lufta në Ukrainë”, deklaroi Hohmann.

“Raporti ngre shqetësim për lirinë e fjalës. Pavarësia e medias pengohet nga një gërshetim interesash biznesi dhe politike, si dhe shqetësim është keqinformimi. Do të vijojmë të ndjekim nga afër këtë çështje. Duhen dhe veprime të tjera për fuqizimin e mbrojtjes së të dhënave. Në lidhje me ekonominë, Shqipëria e ka rimarrë veten më shpejt sesa pritej në vitin 2021, pas pandemisë”, shtoi kryetarja e delegacionit të Bashkimit Europian në vendin tonë.