Bota Pasojat e rënda të një Brexit pa marrëveshje

Pasojat e rënda të një Brexit pa marrëveshje

Britania e Madhe mund të jetë në prag të një daljeje pa marrëveshje nga Bashkimi Europian këtë të enjte, pasi drejtuesit europianë nuk po i japin ende një afat të ri.

Britania e Madhe, aktualisht, duhet të dalë nga BE mesnatën e të premtes. Por deri më tani, deputetët e kanë refuzuar marrëveshjen e tërheqjes që kryeministrja May ka arritur me liderët e tjerë evropianë, vitin e shkuar. Mbrëmjen e të hënës, Parlamenti britanik miratoi një ligj që synon të detyrojë Kryeministren të kërkojë një shtyrje të Brexitit në vend që të dalë nga BE pa një marrëveshje, të premten.

Por vendimi final për shtyrjen, është në duart e BE dhe liderët e 27 vendeve anëtare duhet të bien dakord nëse do të ofrojnë më shumë kohë apo do të refuzojnë ta bëjnë këtë.

Ja cilat do të ishin disa nga pasojat e një dalje pa marrëveshje:

Taksa telefonike dhe bankare

Një nga pasojat e para të dukshme për konsumatorët britanikë dhe europianë është tarifimi roaming, që është mundësia për të përdorur rrjetin e një operatori telefonik edhe jashtë vendit. Ky shërbim, që për momentin është falas për konsumatorët brenda BE, do të tarifohej në rast të daljes pa marrëveshje.

E njëjta gjë vlen edhe për përdorimin e kartave bankare për pagesa, prej të cilave do të mbahen komisione shtesë, ndërkohë që procedurat bankare nga Londra do të  ngadalësohen. Klientët europianë të bankave me qendër në Britaninë e Madhe nuk do mund t’i përdorin shërbimet e tyre financiare. Shumë banka kanë hapur degë në kontinent për të shmangur ndërprerjet.

Më shumë shkresa

Me mijëra ndërmarrje që importojnë ose eksportojnë me Britaninë e Madhe duhet të mësojnë të plotësojnë deklarime të reja doganore dhe mund t’u nënshtrohen taksave të reja.

Pothuajse dy e treta e ndërmarrjeve britanike kanë marrë masa në rast të një daljeje pa marrëveshje, 80% e tyre thonë se janë gati për një Brexit pa marrëveshje apo tranzicion, ndërkohë që në janar kjo shifër ishte 50%, sipas një studimi të publikuar nga Banka e Anglisë më 21 mars.

Londra gjithashtu ka njoftuar krijimin e një sistemi për treguesit gjeografikë në produktet ushqimore siç janë uiski skocez ose djathi Stilton, të njohur deri më tani me etiketat europiane. Qeveria ka këshilluar prodhuesit të aplikojnë për një status të tillë mbrojtës pranë BE.

Ilaçet

Për t’i paraprirë çdo ngjarjeje, Mbretëria e Bashkuar, që zakonisht mban tre muaj rezerva ilaçesh, i ka rritur këto rezerva të mjaftueshme edhe për gjashtë javë të tjera.

Vendi do të dalë nga Agjencia Europiane për Medikamentet, por do të vazhdojë t’i njohë përkohësisht testet dhe certifikimet europiane për të shmangur një procedurë të dyfishtë dhe një shkëputje të zinxhirit furnizues.

Paralajmërimet për konsumatorët

Konsumatorët që blejnë nëpërmjet internetit do të kenë taksa më të larta pasi pakot e dërguara nga kontinenti nuk do kalojnë më me TVSH të reduktuar.

Britanikëve me pushime në Europë mund t’ju duhet një leje drejtimi ndërkombëtare pasi ajo që kanë mund të mos jetë më e vlefshme.

Ndërsa transporti i kafshëve shtëpiake do të bëhet nën rregulla sanitare më strikte.

Pengesa në transport

Në rast të daljes pa marrëveshje, kompanitë ajrore britanike dhe europiane humbasin automatikisht të drejtën për të bërë fluturime mes BE dhe Mbretërisë së Bashkuar. Të rrezikuar nga një kaos në aeroporte, autoritetet britanike dhe europiane kanë rënë dakord t’i japin kompanive leje të përkohshme që të vazhdojnë lidhjet ajrore.

Një marrëveshje e tillë duhet të përfshijë dhe shërbimin e trenit ”Eurostar” dhe operatorëve të tjerë hekurudhorë si edhe atë të transportit rrugor.

Qytetarët britanikë që do të hyjnë në vendet e  Bashkimit Europian do t’u nënshtrohen kontrolleve më të rrepta dhe qëndrimi i tyre do të kufizohet në 90 ditë.

Londra ka nënshkruar kontrata me kompanitë e trageteve për të forcuar lidhjet me kontinentin,duke shpresuar gjithashtu në lehtësimin e trafikut për të shmangur bllokimin në porte, për shkak të vendosjes së kontrolleve. Qeveria nuk pret mungesa në ushqime por ka zgjedhur më pak produkte që prishen.