Opozita Patozi: Zgjidhja nuk vjen nga LSI-ja

Patozi: Zgjidhja nuk vjen nga LSI-ja

Deputeti Astrit Patozi është kundër idesë se kauza e opozitës mund të fitojë me ndihmën e Ilir Metës.

Në një prononcim për Abcneës, deputeti Astrit Patozi tentoi të largonte nga çadra, idenë se zgjidhja mund të vijë nga LSI.

Patozi ironizoi ftesën që iu bë kësaj force politike, me shprehjen “është e ftuar jo vetëm LSI, por edhe PS”.

“Nëse ju e interpretoni thirrjen e z.Berisha si një kërkesë për afrimin e LSI me Partinë Demokratike, unë mund të shkoj përtej kësaj.

Mund të them që në këtë lëvizje janë të ftuar jo vetëm LSI, për të cilën unë kam rezerva, por edhe PS. Kjo nuk është ftesë për koalicion politik, por aleancë për zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe është e ftuar jo vetëm LSI, por edhe çdo socialist, përfaqësues politik apo jo që kërkon që Shqipëria të votojë normalisht. Dhe në këtë kontekst, nuk ka keqkuptim në ftesën që i bëhet forcave të tjera politike se ne besojmë se shqiptarët që duan zgjedhje të lira dhe të ndershme janë shumë më shumë se partitë e tjera të marra së bashku. Ndaj në këtë kuptim, kjo ftesë është për këdo, edhe për LSI.

Por kjo nuk do të thotë që ne duam koalicion me LSI, unë do të isha njeriu i fundit që do ta përqafoja këtë lloj ideje, se konsideroj se LSI është po aq përgjegjëse sa PS për këtë katrahurë ku është zhytur vendi sot. Por gjithsesi çdo individ, çdo forcë politike ka të drejtë të marrë një vendim dhe të ndryshojë qëndrimet politike. Sepse ne jemi për evolucionin e ideve dhe evolucionin e platformave”, u shpreh Patozi.

Sipas deputetit demokrat, ideja se opozita kërkon ta marrë pushtetin në tavolinë përmes një koalicioni të ri është infiltruar nga qeveria dhe mediat pranë saj.

“Ka një përpjekje të qeverisë dhe të mediave pranë saj për të thënë se opozita kërkon ta marrë pushtetin në tavolinë dhe pyetja është pse nuk presim ne që të bëhen zgjedhjet dhe pastaj të reagojmë. Jo, kjo lëvizje ka një qëllim parandalues. Synimi jonë është të parandalojmë një krim që ne themi se do të ndodhë”, theksoi deputeti demokrat.