Politika PD me dy kuvende, Ristani: Më 11 Dhjetor kufizojmë mandatin e kryetarit....

PD me dy kuvende, Ristani: Më 11 Dhjetor kufizojmë mandatin e kryetarit. Zogaj: Demokratët janë thirrur me spekulime

Partia Demokratike po bëhet gati për të mbajtur dy Kuvende, atë të datës 11 Dhjetor të thirrur nga Foltorja e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe atë të datës 18 të propozuar nga kryetari i PD Lulzim Basha dhe të miratuar në kryesinë e partisë.

Sipas ish-deputetit demokrat, Arben Ristani, tani të gjithë sytë e shqiptarëve janë te Partia Demokratike, pasi e shohin atë si të vetmen mundësi për të mundur socialistët dhe atë që Ristani e cilësoi si regjimi i Edi Ranës. Ristani tha në Publikisht në RTSH se një nga pikat e axhendës së Kuvendit është kufizimi i mandatit të kryetarit në rast të humbjes së zgjedhjeve.

“Ka një interes shumë të madh të shqiptarëve për opozitën për të përmbysur regjimin e Ramës dhe dihet që e vetmja mundësi është përmes opozitës. Ka krizë të lidershipit në PD që vjen pas katër humbjesh të njëpasnjëshme. Kjo ka ndodhur për shkak të një kryetari që ka shfaqur sjellje leniniste. Kjo ka sjellë nevojën e një kuvendi për të zgjidhur problemet.

Ka dalë dhe një axhendë e Kuvendit ku spikat një nevojë për ndryshimet në Partinë Demokratike siç është kufizimi i mandatit të kryetarit në rast humbjesh. Duhen këto rregulla. Demokratët mezi presin mbledhjen në datën 11. Shpresoj ta vendosë PD në shtratin statutor”, deklaroi Ristani.

Ndryshe e shikon analisti Preç Zogaj thirrjen e Kuvendit nga ana e Berishës. Ai u shpreh se demokratët janë manipuluar me spekulime, kur në fakt qëllimi i vetëm është shkarkimi i Bashës dhe sfidimi i SHBA-ve. Zogaj deklaroi se firmat nuk janë dorëzuar në rrugë institucionale por janë mbyllur në një kasafortë në shkelje të plotë të statutit të partisë.

“Ky është një kuvend i thirrur për të shkarkuar Bashën dhe për të sfiduar SHBA. Janë thirrur demokratët me spekulime për të arritur këtë qëllim. Janë mbledhur firma dhe nuk janë dorëzuar në rrugë institucionale. Janë futur në një kasafortë. Ata që marrin firmat për referendumin, duhet të kalojnë një procedurë ligjore. Kërkesa duhet të kalojë në institucione. Kuvendi i thirrur nga kryesia e Partisë Demokratike është një mundësi kompromisi për të zgjidhur këtë krizë me kuvend gjithëpërfshirës”, u shpreh Zogaj në Publikisht.