Politika “Për ne hebrenjtë, Shqipëria do të shërbejë gjithmonë si një simbol fisnikërie”

“Për ne hebrenjtë, Shqipëria do të shërbejë gjithmonë si një simbol fisnikërie”

Ambasadori i Izraelit në Shqipëri, Noah Gal Gendler

“Në qoftë se durojmë gjithë këtë vuajtje, në qoftë se kur kjo të përfundojë do të ketë sërish hebrenj të mbetur, atëherë ata në vend që të jenë të dënuar do të mbahen si shembull”.

Me këto fjalë të Ana Frank e nisi fjalimin e tij, ambasadori i Izraelit në Shqipëri, Noah Gal Gendler, në ceremoninë e përurimit të Memorialit të Holokaustit në Tiranë.

“Jemi këtu për të ndarë mesazhin e paqes e të tolerancës, duke dëshmuar dhe duke kujtuar veprat më mizore të njeriut dhe të ideologjisë së errët. Do të doja të falenderoja SHBA-në, gjithmonë si një vend udhëheqës që përherë i nis këto veprimtari përkujtuese dhe ofron vlera edukuese për brezat e ardhshëm”, – tha ambasadori  Gendler.

Duke e cilësuar një moment kuptimplotë, ambasadori izraelit  përgëzoi bashkinë e Tiranës që sipas tij “na ka dhënë një vendndodhje kaq të shkëlqyer, ku mund të vijnë kaq shumë vizitorë të parkut të Tiranës”.

“Sot ne manifestojmë mirënjohjen e hebrenjve për veprën kurajoze të popullit shqiptar gjatë holokaustit. Një akt i shkëlqyer nga një vend i vogël që shëmbëllen vlerat e njerëzimit, sakrificën dhe  dashurinë. Vlera që ende vijojnë të jenë të qenësishme në Shqipëri”, – tha ai duke shtuar se këtë e pamë edhe gjatë pandemisë kur Shqipëria dërgoi mjekë në Itali.

Ambasadori izarelit tha se “për ne hebrenjtë Shqipëria do të shërbejë gjithmonë si një simbol fisnikërie, pishtar tolerance, si njerëz mikpritës, me sjellje shembullore njerëzore. Nëse shumë kombe do të mësonin këtë pjesë të historisë së Shqipërisë, kjo do të ishte e shkëlqyer”.