Aktualitet Përfituan 38 mijë euro përmes mashtrimeve në Facebook, arrestohen 9 persona në...

Përfituan 38 mijë euro përmes mashtrimeve në Facebook, arrestohen 9 persona në Tiranë

Nëntë persona kanë rënë në prangat e policisë ndërkohë që një tjetër është në kërkim për veprimtari në fushën e mashtrimit kompjuterik.

Të arrestuarit kishin hapur adresa false në Facebook dhe nëpërmjet mashtrimit e shantazheve përfitonin shuma parash tek persona të tjerë.

Operacioni i koduar “Transferta” është realizuar nga Sektori për Krimet Kompjuterike në Policinë e Tiranës ku janë sekuestruar prova që faktojnë autorësinë e personave të përfshirë në këtë aktivitet të kundërligjshëm.

Shtetasit e arrestuar kanë përfituar rreth 38 mijë euro nga mashtrimet nëpërmjet adresave në rrjetin social Facebook.

“Në kuadër të operacionit u kapën 9 shtetas, për të cilët u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës, e cila ka vendosur masën e sigurimit “Arrest në burg” në mungesë, për veprën penale “Mashtrim kompjuterik” për shtetasit: E. A., 29 vjeç, I. Q., 27 vjeç, A. M., 48 vjeç, A. T., 28 vjeçe, N. Sh., 21 vjeç, E. H., 33 vjeçe, A. Sh., 21 vjeç, A. A., 38 vjeç, të gjithë banues në Tiranë dhe për shtetasin E. P., 30 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Mashtrim kompjuterik” dhe “Ndërhyrje në të dhënat kompjuterike”, njofton policia.

Gjithashtu është shpallur në kërkim shtetasi E. K., 21 vjeç, banues në Tiranë, për të cilin Gjykata ka vendosur masën e sigurimit “Arrest në burg” në mungesë, për veprën penale “Mashtrim kompjuterik”.

Skema e mashtrimit

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për një periudhë 1-vjeçare, kanë ndërhyrë në llogari të ndryshme të rrjetit social Facebook duke ndryshuar të dhënat e tyre dhe më pas i kanë përdorur për të komunikuar me miq të këtyre llogarive.

Me anë të mashtrimit kanë kërkuar shuma të ndryshme monetare dhe si rezultat kanë përfituar shumën 38 mijë euro.

Materialet e sekuestruara

Gjatë operacionit u sekuestruan 10 aparate celularë, 10 numra SIM Card, 3 pajisje elektronike, mandate pagese (tërheqjeje) që faktojnë aktivitetin kriminal të këtyre personave etj.

Ndërkohë vijon puna për dokumentimin dhe mbledhjen e provave të tjera, si dhe për evidentimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të kundërligjshëm.