Kosova “Përjashtimi nga “Defender 2023” i padrejtë”, Kurti: Serbia të bëjë hapin e...

“Përjashtimi nga “Defender 2023” i padrejtë”, Kurti: Serbia të bëjë hapin e parë për shtensionimin e situatës në veri

Serbia duhet të bëjë hapin e parë për shtensionimin e situatës në veri dhe të mos mbështesë milicinë fashiste që vepron në komunat me shumicë serbe në Kosovë. Kështu ka deklaruar kryeministri i Kosovës Albin Kurti gjatë një interviste për Bloomberg.

“Serbia duhet të ndërpresë mbështetjen për milicinë që shkaktoi protesta në veri të Kosovës muajin e kaluar dhe përgjegjësit duhet të ndiqen penalisht përpara se qeveria të shqyrtojë lehtësimin e qëndrimit. Ne nuk mund t’i nënshtrohemi si një republikë demokratike kësaj milicie të dhunshme. Ne duam që gjërat të zgjidhen sa më shpejt të jetë e mundur, por ju e dini se kjo nuk varet vetëm nga ne”.

Lidhur me kritikat e marra nga SHBA dhe BE për të hequr dorë nga një konfrontim me Serbinë, Kurti i cilësoi thirrjet nga aleatët kryesorë si “të padrejta”. Kryeministri i Kosovës bëri të qartë se qeveria e tij nuk po tërhiqet pavarësisht presionit në rritje nga SHBA-ja dhe Evropa, nga të cilat Kosova varet për mbështetjen politike dhe ekonomike.

Nga ana tjetër Serbia mohon se ka nxitur dhunën në veri, por i mbështet hapur serbët etnikë në Kosovë.

“Qeveria do të lëvizë për të reduktuar forcën policore të dislokuar në rajon dhe do të konsiderojë rimbajtjen e zgjedhjeve të diskutueshme lokale siç kërkohen nga aleatët e saj në SHBA dhe Evropë vetëm pasi Serbia të ndërmarrë hapat e parë”, tha Kurti

Liderët evropianë i kanë bërë presion qeverisë së Kurtit për të zbutur linjën e saj, ndërsa SHBA përjashtoi forcat e vendit nga stërvitjet e NATO-s të planifikuara për më vonë këtë vit në një shenjë zhgënjimi, gjë që nuk u mirëprit nga Albin Kurti.

“Nuk është në rregull të bullizosh Kosovën. Sa herë që Shtetet e Bashkuara kërkojnë diçka nga ne, ne nuk pyesim pse, por vetëm kur dhe si. Përjashtimi nga stërvitja “Defender 2023 ishte jo i drejtë”, tha Kurti

Trazirat, të cilat plagosën dhjetëra paqeruajtës dhe protestues të NATO-s, shpërthyen pasi Kosova vendosi kryetarë komunash në komunat në veri pas zgjedhjeve që popullsia serbe atje kishte bojkotuar. Serbia ka refuzuar të njohë pavarësinë e Kosovës, të shpallur në vitin 2008 dhe ka bllokuar përpjekjet e saj për t’u bashkuar me organizmat ndërkombëtare.