Bota Përmbytjet, rrëfehet shqiptari që ndihmoi gjermanët: I thashë jam nga Kosova, ai...

Përmbytjet, rrëfehet shqiptari që ndihmoi gjermanët: I thashë jam nga Kosova, ai filloi të qajë

Dy vëllezërit, Lulzim dhe Gëzim Hajdaraj, udhëtuan nga Këlni, drejt qytetit Bad Neunar të Gjermanisë, me qëllim që të ndihmonin njerëzit që u dëmtuan nga përmbytjet që përfshirë Evropën.

Lulzimi tregoi se të dielën në orët e vona të mbrëmjes janë kthyer në shtëpi, pas qëndrimit në qytetin i cili sipas tij, ishte përmbytur pothuajse i tëri.

“I thashë jam nga Kosova, ai filloi të qajë…”, ka treguar shqiptari. “Ne shkuam në mëngjes dhe pritem gjatë në kolona për të hyrë në qytet”, tha Hajdaraj.

Ndër të tjera, ai tha se sapo mbërritën në qytet, kanë pyetur se kush ka nevojë për ndihmë në pastrimin e banesave dhe lokaleve.

“Në katet e para, podrumet ishin të prishura, kishte shumë baltë. Ne iu ndihmuam t’i hedhim jashtë të tëra. Ishte trishtim të shohësh ashtu një qytet të tërë të shkatërruar”, tha shqiptari nga fshati Abri i komunës së Drenasit.

Lulzimi shtoi se gjermanët ishin gëzuar që këta dy vëllezër shqiptarë kishin marrë rrugë për t’iu dalë në ndihmë:

“Ata u gëzuan që ne nuk e kishim harruar ndihmën e tyre që ata e kanë bërë në kohën e luftës dhe atë që shteti gjerman bën edhe sot.

Një banor tjetër që e takuam na pyeti nga jeni, dhe ne i treguam që vijmë nga Kosova dhe kemi ardhur t’iu dalim në ndihmë për këtë katastrofën që ka ndodhur.

Ai filloi të qajë dhe tha disa herë “faleminderit nga ju që po na bashkoheni në këto momente të vështira”.

Ai tregoi së bashkë me ta ishte dhe një shqiptar që iu erdhi në ndihmë banorëve të përmbytur.