Aktualitet Përndiqte ish-ambasadorin e BE në Tiranë Sequi, arrestohet skenaristja e RAI-t

Përndiqte ish-ambasadorin e BE në Tiranë Sequi, arrestohet skenaristja e RAI-t

Valentina Picale, skenariste në televizionin Italian RAI, është arrestuar pasi ish-ambasadori i BE-së në Tiranë Ettore Sequi e kishte denoncuar për përndjekje. Ajo ishte njohur me këshilltarin aktual të ministrit të jashtëm italian Di Maio, në një eveniment publik. Pas një marrëdhënie të shkurtër çifti ishte ndarë për shkak të ndryshimit të madh të karaktereve. Por gazetarja italiane nuk e pranonte këtë ndarje duke i kërkuar vazhdimisht shpjegime dhe duke këmbëngulur për t’u lidhur sërish.

Marrëdhënia e tyre daton në vitin 2017, por ish-ambasadori Sequi kishte kërkuar menjëherë të ndaheshin. Më pas gruaja nisi një përndjekje posesive ndaj diplomatit 63-vjeçar i cili në fund u detyrua t’i drejtohet policisë, e cila ka arrestuar skenaristen. Mediat italiane raportojnë se 41-vjeçarja dhe në të kaluarën ishte denoncuar për të njëjtën gjë nga ish partnerët e saj.

Sipas mesazheve që Sequi ka dorëzuar në duart e hetuesve, gruaja e kërcënonte duke i premtuar se do i shkatërronte jetën, menjëherë pasi ai mori postin e këshilltarit në ministrinë e jashtme italiane. Aktualisht ajo ndodhet në arrest shtëpie dhe nuk mund të komunikojë me njerëzit jashtë as nëpërmjet rrjeteve sociale.