Politika Përplasja me Cakajn, Bushati kundër kandidates Hajdaraga për ambasadore në Athinë

Përplasja me Cakajn, Bushati kundër kandidates Hajdaraga për ambasadore në Athinë

Komisioni për Politikën e Jashtme nisi diskutimet për kandidaturën e paraqitur nga Ministria e Jashtme për ambasadore në Greqi, Luela Hajdaraga.

Në këtë mbledhje, ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati tha se kandidatura e propozuar nga MEPJ shkel si ligjin, ashtu edhe traditën 100-vjeçare të ambasadorëve shqiptarë në Athinë.

Bushati nënkuptoi se Hajdaraga nuk plotëson asnjërin prej dy kushteve të vendosura në ligjin për shërbimin e jashtëm.

“Ambasador mund të bëhesh në dy mënyra, ose të kesh një histori karriere dhe do një gradë të caktuar dhe në ligj ne kemi qenë shumë të qartë.

Përcaktuam në ligj se ambasador mund të bëhesh ose nëse ke karrierë të pandërprerë në këshillin e jashtëm, minimalisht të kesh gradën këshilltar, ose të vish nga jashtë karriere.

Por, edhe nga jashtë ka një rregull, duhet të kesh 10 vite përvojë pune në politikën e jashtme dhe çështjet ndërkombëtare”, deklaroi ish-ministri.

Veç ligjit, Bushati thotë se me emrin e propozuar shkelet edhe tradita 100-vjeçare e diplomatëve të emëruar në Ambasadën shqiptare në Greqi.

“Nëse shohim historikun tonë rezulton që të gjithë kandidatët për ambasadorë, që kanë shërbyer në Greqi, ose kanë qenë njerëz me karrierë të spikatur brenda shërbimit të jashtëm, ose njerëz me profil shumë të lartë publik këtu”, tha ai.

Bushati tha se përveç shkeljes së ligjit dhe të traditës, shqyrtimi i kandidaturës së ambasadores në Komision nuk është e rregullt as procedurialisht, pasi sipas Bushatit, ambasadorja Adriana Hobdari është ende në detyrë përsa kohë presidenti nuk është shprehur për këtë.

“Praktika e vendosur në Kushtetutë dhe ligj imponon që duhet të ketë një vakancë kushtetuese në mënyrë që të iniciohet procedura.

Ministri i Jashtëm i ka propozuar presidentit një zëvendësim përsa i përket ambasadorit në Greqi. Presidenti ende nuk është shprehur për këtë”, u shpreh ai.