Kryesore Pesë të vdekur nga Covid, sërish numër i lartë rastesh të reja

Pesë të vdekur nga Covid, sërish numër i lartë rastesh të reja

Edhe të shtunën numri i personave të konfirmuar me koronavirus vijoi në shifra të larta. Ministria e Shëndetësisë njoftoi se gjatë 24 orëve të fundit janë zbuluar 156 raste të reja. Edhe pse më ulët se ditët e tjera, qyteti i Tiranës ka numrin më të lartë të rasteve.

“Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive ditore është si vijon: 44 raste në Tiranë, nga 11 raste në Krujë dhe Kukës, nga 10 raste në Durrës, Fier, Lezhë, 9 raste në Shkodër, 6 raste në Elbasan, Lushnje, Tropojë, 5 raste në Berat, nga 4 raste në Has, Librazhd, Kamëz, Patos, nga 3 raste në Devoll dhe Vlorë, 2 raste në Mirditë, nga 1 rast në Kurbin, Pukë, Divjakë, Shijak”. Sipas ministrisë, gjatë javës që po lemë pas mesatarja ditore ka qenë 145 raste.

Covid-19 vijon të shkaktojë viktima. 5 persona kanë humbur jetën për shkak të komplikacioneve të sëmundjes.

“Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, fatkeqësisht në dy spitalet COVID, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen 5 pacientë, një 47 vjeçar nga Shkodra, një 53 vjeçare nga Fieri, një 57 vjeçar nga Lezha, një 78 vjeçar nga Kukësi , një 78 vjeçar nga Elbasani. I shprehim ngushëllimet familjarëve”.

Gjatë orëve të fundit janë shëruar 88 qytetarë duke e çuar numrin e të shëruarve në 4184, që nga fillimi i epidemisë. Gjithashtu numri i personave të shtruar në spital është rritur.

“Aktualisht në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 141 pacientë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 20 në terapi intensive nga të cilët 9 pacientë janë të intubuar”.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi se 34 qytetarë po marrim shërbim të specializuar për shkak të pasojave të sëmundjes edhe pse janë negativizuar.