Eleminatoret e Euro 2020 u mbyllën, e bashkë me to përfundoi edhe kontrata për trajnerin Edy Reja në krye të kuqezinjve.
74-vjeçari italian e mori Shqipërinë pasi i kishte nisur eleminatoret me Panuccin dhe nuk arriti dot të kapte objektivin që iu vu, për të marrë vendin e trete ne grup.
Megjithatë në tërësinë e punës së Rejës, mund të shihet pozitivisht pasi skuadra mori një pamje tjetër pas ardhjes së tij dhe po kështu disa elemente të rinj arritën të ingranohen mirë në skuadër.
Ish-tekniku i Lazios, Napolit e Atalantës deklaroi pas humbjes me Francën se ndonëse ka oferta të tjera nga Italia, ai do të dëshironte të vazhdonte të punonte me kombëtaren kuqezi.
Mirëpo Reja tha se për këtë gjë do të ulet të flasë me kreun e federatës Armand Duka pasi nuk bëhet fjalë vetëm për terma ekonomike, por edhe për çështje strategjie të FSHF për ekipin kombëtar.
“Do të flas me presidentin për të ardhmen time pasi kontrata ime përfundon sot. Kemi bërë një punë të mirë dhe më ka pëlqyer. Do të doja të vazhdoja me Kombëtaren shqiptare”, tha Reja.