Sport Pioli: Nuk jemi te Milani për të krehur kukullat, po për të...

Pioli: Nuk jemi te Milani për të krehur kukullat, po për të kthyer aty ku i takon

Trajneri i Milanit, Stefano Pioli, është kthyer të flasë në konferencë për shtyp përpara ndeshjes ndaj Brescia në kampionat. Kuqezinjtë vijnë nga dy fitore radhazi në Serie A dhe përfshirë Kupën janë tre fitore (kualifikim ndaj SPAL). Për trajnerin, megjithatë, kaq nuk mjafton dhe “renditja do të qëndrojë e varur në dhomat e zhveshjes në Milanello deri në fund të kampionatit. Nuk jemi këtu për të krehur flokët e kukullave, po për të kthyer Milanin aty ku i takon”.

“Rëndësi nuk ka moduli që ka ndryshuar, por se si luajmë, se si sakrifikohemi dhe se si zbresim në fushë. Po bëjmë mjaft mirë dhe paraqitjet janë pozitive. Skuadra po rigjen veten dhe Castillejo kishte të drejtë kur tha se kemi kaluar momente të vështira. Tani pres rritje dhe më shumë”.

Pioli është pyetur edhe për ecurinë e mirë e Milanit në transferta dhe diçka të tillë ai e ka komentuar kështu: “Nëse numrat e thonë këtë, nuk gënjejnë. Ndeshjet jashtë fushe kanë qenë pozitive për ne, duhet të provojmë të përsërisim veten. Kemi shumë rrugë për të bërë, ende s’kemi arritur asgjë”.

Balotelli

Më tej ai flet për mungesën e Balotelli te kundërshtari dhe për rëndësinë e ndeshjes. “Pa Balotelli, Brescia humbet cilësi të rëndësishme individuale të një lojtari, por bëhen më kompaktë dhe dinamikë. Do dëshirojnë të luajnë një futboll agresiv dhe të bukur”, tha Pioli.

Ndeshja e kthesës?

“Të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme. Çdo ndeshje më bëni të njëjtën pyetje, nëse është kryqëzimi ynë apo pika e kthesës. Sezonin mund ta kthejmë vetëm duke i parë të gjitha ndeshjet si të rëndësishme. Fitoren kanë ardhur duke u përmirësuar paraqitjet tona. Nëse duam të ngjitemi në renditje, duhet të përmirësohemi akoma. Duhen marrë rezultate dhe të jemi mirë në aspektin mental”, shton trajneri i Milanit.

Ibra dhe Paqueta

Nuk mund të mos pyetet në lidhje me Ibrahimovic dhe Paqueta. “Është një vlerë e shtuar qëndrimi dhe profesionalizmi që Ibra shfaq në çdo seancë stërvitore. Po flasim për një kampion, për një nga më të mirët në botë. Kam pritur shumë prej tij dhe kam gjetur një person shumë të disponueshëm. Është i vetëdijshëm për atë që duhet të bëjë”.

“Paqueta duhet të ketë bindjen se është lojtar i kompletuar. Për cilësitë që ka, ai duhet të jetë më vendimtar në fazën e fundit, ku duhet ose të shënojë ose të bëjë të tjerët të shënojnë. Nuk ia ka dalë mbanë në gjërat ku një lojtar si ai duhet të ketë lëvizjen fitimtare”, ka deklaruar trajneri i Milanit, Stefano Pioli.