Aktualitet Pipero: Ritmi i epidemisë në ulje, por qytetarët duhet të jenë të...

Pipero: Ritmi i epidemisë në ulje, por qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm

Mjeku i njohur, Pëllumb Pipero ka folur nga qyteti i Vlorës për situatën epidemiologjike në vend, nga ku ka thënë se epidemia ka një ritëm në ulje megjithatë qytetarët duhet të vijojnë të respektojnë rregullat përsa kohë që virusi qarkullon.

Krahas faktit që situata paraqitet e qetë, një lajm i mirë sipas tij është fakti se numri i rasteve të shëruara ka kaluar më shumë se gjysmën e atyre që janë prekur në total nga COVID-19.

“Në terma të përgjithshëm, situata është shumë e qetë. Epidemia ka një ritëm rënës, pra në ulje të konsiderueshme çdo ditë edhe sa i takon numrit të rasteve të shtruara në spital që janë 2,3 në ditë dhe herë pa asnjë rast fare. Edhe sa i takon numrit të rasteve të reja pozitivë që ditët e fundit kanë qenë 9, 7, 6. Por lajmi i mirë është që numri i rasteve të shëruara shtohet nga dita në ditë. Tashmë kemi më shumë se gjysmën e personave të prekur, i kemi të shëruar. Situata është mjaft e qetë, por kjo qetësi nuk do të ulë as vigjilencës as kujdesin. Ende virusi qarkullon pavarësisht se me ritëm të ulët dhe virilencë të ulët dhe përsa kohë që virusi qarkullon, ne duhet të respektojmë ato masa që janë të rëndësishme për këtë fazë të dytë, që është faza e hapjes graduale. Ende duhet të kemi kujdes sidomos në mjedise publike, në lokalet që do të hapën nesër apo bankat që janë hapur më parë, apo në institucionet publike, qytetarët kur hyjnë të ruajnë distancën fizike, të vendosin një maskë, ata që shërbejnë të kenë maska e doreza. Higjiena për duart, larja sa më shpesh e duarve me ujë e sapun, dezinfektantë, pra janë ende disa masa që duhet t’i respektojmë në vijimësi sa kohë që virusi do të vijojë të qarkullojë jo vetëm tek ne, por edhe në rajon”,- tha Pipero.

Më tej, ai shtoi se ”Vlora gradualisht po bëhet gati sepse masat po lehtësohen dita-ditës. Ka një ritëm gradual por ulës në vijimësi ndërkohë që nesër Vlora shpallet zonë e gjelbër dhe është lajm jashtëzakonisht i mirë. Ka 3, 4 javë pa asnjë rast të ri”.