Sport Platini: Vë bast mbi Pirlon, Conte një gjigant. Ndeshja do të vendoset...

Platini: Vë bast mbi Pirlon, Conte një gjigant. Ndeshja do të vendoset nga Ronaldo

Michel Platini, një ish-kampion i bardhezinjve, është intervistuar nga “Gazzetta dello Sport” në prag të supersfidës së Serie A, Inter-Juventus, që do të thotë shumë për titullin kampion.

CRISTIANO RONALDO – “Ai është modeli i djemve të sotëm, që merren me futboll; siç isha unë për lojtarët e Juventusit të viteve ’80 dhe Sivori më parë. Ai dhe Messi? Dy fenomene krejt të ndryshme. Njëri i vogël dhe i shpejtë, tjetri i gjatë dhe i fortë. Dy lojtarë të mrekullueshëm për 15 vite”.

PIRLO – “Pirlo ishte tashmë një trajner në fushë, pse nuk duhet të jetë edhe në stol? Mendoj se filloi me filozofinë e duhur, gjithmonë duke kërkuar shfaqjen dhe golin. Jepini kohë, menaxhimi i tij do të jetë i rëndësishëm. Le të kemi ca romantikë si ai në stol”.

CONTE – “Më pëlqen, ka bërë gjëra të mëdha. Grintioz, gjithmonë në lëvizje. Ashtu si ai janë vetëm Simeone dhe Gattuso. Të tjerët janë më të qetë, si Pirlo, mbase mbajnë gjithçka brenda. Për të dy ka një detyrë të vështirë dhe të lehtë në të njëjtën kohë: ata duhet ta marrin rezultatin me forcë, pasi kanë skuadrat më të mira”.

INTER-JUVE – “Mbyllet 1-0, me golin e CR7. Do të jetë emocionuese. Juve ka Ronaldon, një lojtar fantastik, fenomenal, vendimtar kurdoherë; me atë fizik prej bishe, me atë psikologji, atë qëndrim professional, që e bën të luajë në majë edhe në moshën 36 vjeç”.

DOMINIMI I JUVE – “Ecuri e pabesueshme, mbresëlënëse në Serie A. Mentaliteti bardhezi është të duash gjithnjë më shumë, titullin e dhjetë radhazi, dhe pastaj përsëri. A më pëlqen ky domen? Për mua, po, nëse Juve fiton, sepse e dua atë skuadër. Por, nëse e doni futbollin italian, është mirë që edhe të tjerë të fitojnë. Do të ishte mirë edhe për gazetën tuaj, do të thosha…”

DYBALA – “Më pëlqen shumë, është pjesë e kategorisë së Maradonës, Sivori, Neymar. Ndoshta mund të ketë më pak talent, por le të shohim. Ai nuk është Ronaldo, nuk është Messi dhe nuk është “dirigjent”, por një 10 që luan si sulmues”.

TITULLI – “Kujdes nga Milani. Gjithmonë po korr rezultate pozitive, është i pari dhe nuk do që të ndalet. E shoh mjaft luftarak”.