Aktualitet Po ktheheshin nga varrimi, por humbën jetën. Arrestohet shoferi

Po ktheheshin nga varrimi, por humbën jetën. Arrestohet shoferi

Shoferi i makinës që u përplas në Papër të Elbasanit dhe për pasojë humbën jetën katër gra është arrestuar. Sipas policisë, Gëzim Kotorri, akuzohet për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen e disa personave.

Masa e sigurisë për Gezim Kotorrin është dhënë në spital ku ai po merr ndihmën mjekësore. Ngjarja e rëndë ndodhi të hënën në rrugën Elbasan-Peqin, në afërsi të fshatit Papër.

Në këtë aksident u përfshinë makinat tip “Ford”, një “Skoda” dhe mjeti tip “Seat”. Paraprakisht dyshohet se Kotorri bëri një parakalim të gabuar dhe më pas humbi kontrollin duke përfunduar për përplasje.

Në këtë ngjarje vdiqën Fatime Hoxha, Fatushe Agolli, Lumturi Hoxha dhe Jonida Kotorri. Ato udhëtonin nga Tirana drejt fshatit Shtëpanjë ku do të zhvillohej ceremonia mortore e bashkëshortit të 58-vjeçares Fatime Hoxha që kishte ndërruar jetë në spital në kryeqytet.